Gazetarët: të hapet debat i gjërë për marrëveshjen SHGM-Qeveri

Gjendja në fushën e medias është katastrofale, mediat po përballen me shumë vështirësi  në punën e tyre, ambienti politik dhe sidomos ai ekonomik nuk është i përshtatshëm për funksionim normal të sistemit mediatik, dhe në këtë kontekst marrëveshja e arritur për dekriminalizimin e shpifjes edhe pse jep disa zgjidhje optimale për çështje e fyerjeve dhe ofendimeve nuk është një zgjidhje e plotë e cila mund të zgjidh problemet e gazetarëve, vlerëson komunikologu Sefer Tahiri.

Tahiri vlerëson se  çështjes së shpifjes i është dhënë rëndësi e madhe, ndërsa sipas tij problemi kryesor me të cili ballafaqohen gazetarët është sistemi mediatik  i cili përballet me presione të drejtpërdrejta nga pushteti.

‘Në kohën kur mbyllen mediat është pak tragjikomike  që qeveria të deklarohet se po arrin një marrëveshje me SHGM-në, në anën tjetër gjykatat gjithmonë kanë qenë në anën e politikanëve, kanë qenë të prira të marrin vendime politike, dhe sidomos kur është bërë fjalë për gazetarët ata kanë qenë më të dëmtuar, vendimet gjyqësore kanë qenë në favor të politikës me që sistemi gjyqësor vazhdon të jetë nën diktatin politik të partive politike në vend’ thotë për Portalb Tahiri.

E tërë kjo situatë, sipas tij, flet se në gazetari, në media nuk ka qenë kurrë më keq dhe nuk mund të themi se gjendja është më e favorshme në një kohë kur  vazhdimisht mbyllen mediat nga ana e vendimeve që i sjell KRD-ja ku gjithashtu anëtarë janë disa pjesëtarë të partive politike në pushtet.

Tahiri nga SHGM kërkon që:

SHGM  ti qaset ndryshe  problemeve dhe marrëveshjeve me qeverinë
Diskutim publik për zgjidhjen e çështjes së shpifjes dhe ofendimit
Të mos zhvillohen bisedime me MPB-në sepse është një organ represiv dhe nuk ka asnjë pikë të përbashkët me gazetarinë 

Ish kryetari i SHGM-së Robert Popovski vlerëson se SHGM-ja gaboi në fillim, që filloi bisedime me qeverinë, pasi sipas tij, nuk është e mundshme të dialogohet për standarde thelbësore, elementare dhe profesionale.

‘Kjo zgjidhje është e ngutur, sepse nuk është informuar komuniteti i gjerë i medias-gazetarët, se  çfarë do të jenë vendimet, pranimi dhe fotografimi me anëtarët e qeverisë na ka lënë një përshtypje se është bërë diçka prapa skenës. Unë nuk dëshiroj të dyshoj në sinqeritetin e njerëzve në SHGM, që të bëjnë diçka më shumë për gazetarët, por mendoj se nuk kanë bërë përllogaritjen e duhur, ndoshta kjo ka ndodhur për shkak të mungesës së përvojës, apo të mosnjohjes së punëve sa duhet, apo të dëshirës së madhe për të bërë diçka dhe për tu arritur rezultate, por sido që të jetë marrëveshja që është arritur, nuk shpie në përmirësimin e kushteve të punës për gazetarët, përkundrazi çon në censurë të plotë, dhe auto-censurë’, vlerëson Popovski. 

 Popovski parashtron këto pyetje për SHGM-në:

Me çfarë baze diskuton SHGM-ja se cili do të jetë dënimi për pronarët e mediave?
Si mund të definohen shuma aq të larta për dënimet?
Pse në bisedime nuk ka theks problemi kryesor, vullneti politik që diçka të realizohet?

Popovski vlerëson se nëse definohen dënimet, nuk është kurrfarë garancie,  nëse nuk ka vullnet politik, nëse nuk ka ambient demokratik, nëse dikush ushtron ndikim ndaj gjyqësisë sepse sipas tij, gjyqësia ka shprehi që ti dënojë gazetarët, me asnjë limit nuk mund të zgjidhet problemi, përkundrazi ai zmadhohet.

‘Duhet urgjentisht të rishqyrtohen vendimet, ato të kenë konsensus të plotë  të gazetarëve dhe të vehet theks në problemet thelbësore me të cilat përballen gazetarët, sepse kjo marrëveshje nuk mund të pranohet pa u analizuar mirë, dhe vetëm pastaj me konsensus të pranohet’ thotë Popovski.

Tahiri dhe Popovski vlerësojnë se gjendja në gazetari nuk premton të ardhme të ndritur, përderisa edhe më tej ka mbyllje të mediumeve, eliminim të gazetarëve nga hapësira ku mund të shprehen, shkurtime të  vendeve të punës për gazetarët, margjinalizim të  emrave të njohur të gazetarisë,  presion të përgjithshëm politik, ekonomik si dhe presion nga pronarët ndaj gazetarëve./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button