Tajlandë, vazhdojnë punimet për shpëtimin e fëmijëve të bllokuar

Në veri të Tajlandës vazhdojnë punimet për evakuimin e 12 fëmijëve futbollistë dhe trajnerit të tyre të cilët u gjetën në një shpellë në provincën veriore Chiang Rai, nëntë ditë pasi ishin zhdukur teksa vizitonin shpellën si ekip, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ekipet për kërkim dhe shpëtim po luftojnë me kohën për uljen e nivelit të ujit në shpellë para reshjeve të dendura, të cilat priten të shtunën. Ekipet përpiqen që të ulin nivelin e ujit përmes pompave të drenazhit, duke e mbajtur atë në nivel që grupi të arrijë të dalë në mënyrë të sigurtë nga shpella.

Guvernatori i provincës Chiang Rai, Narongsak Osatanakorn tha se “Për momentin e vetmja gjë që shqetësohemi është moti. Nuk mund të marrim parasysh përsëri rrezikun e përfshirjes së shpellës nga ujërat e përmbytjeve”.

Osatanakorn në deklaratat e mëparshme tha se për evakuim do t’i japin përparësi atyre që janë plotësisht të gatshëm.

“Nuk duam të marrim ndonjë rrezik. Prioritet është përmirësimi i gjendjes shëndetësore të atyre që kanë mbetur të bllokuar. Personat që janë të gatshëm 100 për qind do të evakuohen së pari. I gjithë grupi mund të mos evakuohet në të njëjtën kohë”, thotë ai.

Zyrtari i zjarrfikësve, i cili kryen aktivitetet e drenazhit tha se kalimet dhe galeritë në mes të hyrjes së shpellës dhe pikës ku fëmijët kanë mbetur të bllokuar, janë të mbuluara me ujë deri lartë. Për këtë arsye zyrtari theksoi se zhytja është mundësia e vetme për evakuimin e fëmijëve.

Për shkak të nivelit të lartë të ujit brenda shpellës, ekipet planifikojnë që t’i mbajnë fëmijët në shpellë për një kohë të caktuar dhe që gjatë kësaj kohe t’u japin trajnim për not dhe zhytje.

Siç njoftohet, edhe zhytësve profesionistë u janë dashur disa orë për të arritur te pika ku gjendet grupi për shkak të galerive të ngushta të mbetura nën ujërat e vërshimeve, ndërsa për evakumin e fëmijëve në këtë mënyrë do të nevojitet përgatitje serioze.

Ndërkaq, alternativa e pritjes së rënies së nivelit të ujit është konsideruar jopraktike, pasi në dy muajt e ardhshëm rajoni pritet të përfshihet nga sezoni i shirave mosun.

Derisa janë duke u bërë përpjekje për uljen e nivelit të ujit përmes pompave të drenazhit, reshjet e vazhdueshme e kanë vështirësuar këtë metodë.

Ekipet e shpëtimit janë duke bërë edhe kërkime për gjetjen e zbrazëtirave të ajrit përmes të cilave do të mund të sigurohej dalje alternative nga shpella.

Kujtojmë se 12 fëmijët nga mosha 11 deri në 16 vjeç dhe trajneri i tyre 25 vjeç ishin zhdukur gjatë shëtitjes në shpellën Tham Luang Nang Non më 23 qershor dhe u gjetën të gjallë pas nëntë ditëve kërkim nga ekipet e shpëtimit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button