Zhelina realizon projekt për qeverisje transparente

Komuna e Zhelinës me përkrahjen financiare të Agjencisë zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim – SDC dhe në partneritet me Qendrën maqedonase për bashkëpunim ndërkombëtar realizon projektin Forume në bashkësi.

Projekti ka për qëllim që të mbështet procesin e decentralizimit në komunë dhe të ju mundësojë qytetarëve të marrin pjesë aktive në zhvillimin e bashkësisë lokale. Kanë mundësi që të përmirësojnë jetën e përditshme përmes pjesëmarrjes në sesionet e forumeve dhe me idetë dhe projektet e tyre, ndërsa pushteti lokal, komuna të zhvillojë qeverisje transparente dhe të hapur me qytetarët e saj. Kështu realizohet një proces i vendimmarrjes së përbashkët ku bëhet ndarja e përgjegjësive për marrjen e vendimeve mes komunës dhe qytetarëve.

Ky program realizohet me sukses në Maqedoni tani më 5 vite dhe në të njejtin janë të përfshira shumë komuna në mbarë territorin e Republikës së Maqedonisë.

Moderator i realizimit të procesit të forumit në komunën e Zhelinës është Fisnik Shabani nga Qendra maqedonase për bashkëpunim ndërkombëtar – MCMS, që është edhe organizata implementuese e projektit. 

“Për mua angazhimi dhe puna në një aktivitet të këtillë paraqet kënaqësi të veçantë. Me entuziazëm dhe seriozitet të madh po i qasemi punës së realizimit të forumeve në komunën e Zhelinës, bashkë me grupin operativ dhe ekipin e projektit. Shpreh falenderimet e mia për stafin e komunës dhe kryetarin Fatmir Izairi për ndihmën dhe bashkëpunimin e ofruar. Mbesim me shpresë që qytetarët e komunës së Zhelinës pozitivisht t’i përgjigjen ftesës sonë për pjesëmarrje aktive në projekt dhe përmes diskutimeve dhe ideve të tyre të kontribojnë për realizimin e suksesshëm të projektit dhe përmirësimin e jetës në këtë vend” – shtoi Fisnik Shabani, Moderator.

Kryetari i komunës z. Fatmir Izairi deklaroi: “Jemi të nderuar si komunë që jemi përfshirë ne 10 komunat në të cilat do të implementohet ky projekt dhe për këtë jemi falemenderues MCMS-së. Personalisht do të angazhohem në maksimum që procesi të rrjedh me dinamikën e paraparë dhe shpresoj se edhe stafi komunal dhe qytetarët do të kenë qasje serioze ndaj këtij projekti. Uroj që në të ardhmen të kemi projekte të tilla ku do të inkuadrohen qytetarët drejtpërsedrejti në vendimmarje që me këtë qeverisja lokale të jetë më funksionale ndaj kërkesave të tyre.”

Sesioni i parë i forumit në Bashkësi në komunën e Zhelinës do të mbahet më datë 21 korrik 2012 (e premte) me fillim në Ora 19 30  në lokalet e shkollës fillore “Luigj Gurakuqi” në fshatin Zhelinë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button