Policia heton vrasjen e Dino Asanajt

Drejtori i klinikës kirurgjike në Prishtinë, Mehmet Maxhuni, ka konfirmuar se Dino Asanaj, drejtori i Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, nuk i mbijetoi plagët e sulmit me thikë, me gjithë përpjekjet e mëdha të personelit mjekësor.
 
“I ndjeri Asanaj, në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka arritur rreth orës 13:00, dhe personeli mjekësor ka intervenuar shumë shpejt. Ka pasur dy therje, një në fyt dhe një në gjoks, që i ka prekur mushkëritë dhe zemrën, dhe disa të tjera që nuk kanë qenë vdekjeprurëse. Me gjithë përpjekjet, i ndjeri ka ndërruar jetë rrethe orës 14:20”, ka thënë Maxhuni për Radio Evropa e Lirë.

 
Më herët, Policia e Kosovës ka konfirmuar se Dino Asanaj ishte dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës nga shoferi i tij.

Zëdhënësi i Policisë, Brahim Sadriu, nuk ka dashur të komentojë shumë për rastin, por tha se lidhur më këtë incident ka marrë informacion nga linja telefonike ndihmëse e policisë.

Motivet e këtij sulmi Policia e Kosovë nuk i ka mësuar, por siç thonë ata, hetimet janë duke vazhduar dhe se shumë pista janë të hapura. Policia po ashtu bën të ditur se në ketë rast janë inkuadruar edhe njësitet për hetimin e krimeve të rënda.

Nga ana tjetër, drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, ka konfirmuar se trupi i pajetë i Asanajt është vendosur në institut dhe të premten, me urdhër të Gjykatës së Qarkut, do t’i bëhet autopsia.

Bazuar në hetimet preliminare policore, incidenti ka ndodhur në zyrën që posedonte viktima në Fshatin ndërkombëtar Amerikan dhe se mjeti i kryerjes së vrasjes dyshohet të jetë një armë e ftohtë – thikë.

Njësiti i forensikës nga Drejtoria rajonale e Prishtinës është duke proceduar akoma këqyrjen e vendit të ngjarjes, në lokacionin ku ka ndodhur vrasja, transmeton Koha.net.

Ekipet e hetuesve në vendin e ngjarjes janë në proces të grumbullimit të informacioneve që janë të nevojshme për procesin hetimor dhe zbardhjen e rrethanave rreth këtij rasti të vrasjes.

Procesi hetimor, nga niveli i Drejtorisë rajonale ka kaluar tek Drejtoria për hetimin e krimeve të rënda, në kuadër të Drejtorisë së Përgjithshme

Qeveria e Republikës së Kosovës dhe partitë politike kanë dënuar ashpër aktin kriminal të vrasjes së kryetarit të Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Dino Asanaj.

Qeveria kërkon nga organet kompetente që menjëherë të ndërmarrin të gjitha masat e domosdoshme që kryesit e kësaj vrasjeje të dalin para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button