Mediat spanjolle: Lopetegui dhe De Gea fajtorë për eliminimin
Mediat dhe opinioni spanjoll si fajtor kryesor për eliminimin e ekipit kombëtar në të tetën e finales të Kupës së Botës në Rusi e shohin ish-trajnerin Julen Lopetegui, i cili një ditë para Botërorit nënshkroi kontratën me Real Madridin dhe u shkarkua nga ekipi kombëtar, transmeton Anadolu Agency (AA).
Pas ekzekutimit të penaltive, kombëtarja nikoqire e Rusisë dje eliminoi ish kampionin e botës, Spanjën dhe tani në çerekfinale do të përballet me Kroacinë.
Gazetat sportive spanjolle në kryetitujt e tyre të sotme shkruajnë pikërisht për eliminimin e hershëm të skuadrës nga e cila pritej shumë më tepër. Kjo veçanërisht pasi u eleminuan disa nga favoritët si Gjermania, Argjentina dhe Portugalia.
Gazeta më e lexuar “Marca” doli me titullin “Kthimi në shtëpi”, ku thuhet se Rusia ka eliminuar Spanjën e pavullnetshme, të pamotivuar dhe jo të disponueshme.
“Spanja kthehet në vendin e saj të merituar, në shtëpi”, shkruan “Marca”.
Në krye të gazetave nga dhjetë arsyet për eliminimin e Spanjës nga e teta e finales “Marca” nënvizon edhe formën e keqe të portierit David De Gea. Portieri i Manchester Unitedit u etiketua si një nga portierët më të dobët në Kupën e Botës pasi ai mbrojti vetëm një nga shanset në të cilat u gjetën sulmuesit kundërshtarë.
Në vendin e dytë llogaritet largimi skandaloz i përzgjedhësit Lopetegui i cili shkaktoi probleme të mëdha dhe rënie të vetëbesimit në kampin spanjoll.
Gazeta falënderoi ironikisht Lopeteguin dhe udhëheqësit e Real Madridit, të cilët, duke nënshkruar marrëveshjen, shkaktuan një krizë në ekipin kombëtar.
Në të njëjtën kohë, në ballinën e gazetës “AS” u publikua lajmi “Fundi i një brezi”, i cili u ilustrua me fotografinë e lojtarëve të përqafuar pas humbjes nga Rusia.
“Përfaqësuesit u ulën për 80 minuta të ndeshjes dhe pastaj ata nuk ishin në gjendje të krijojnë një shans në kohën shtesë”, shkruan gazeta “AS”.
I njëjti burim thekson se largimi skandaloz i Lopeteguit, mungesa e përvojës të trajnerit të ri Fernando Hierro, forma e keqe e portierit De Gea dhe organizimi i dobët i mbrojtjes janë nga arsyet kryesore për dështimin në Kupën e Botës në Rusi.
Gjithashtu edhe kryetitulli i gazetës “ABC” ishte rezervuar për eliminimin e Spanjës nga Botërori, ndërsa lajmi me titullin “Mirupafshim, Kampionati Botëror” u publikua me një foto të futbollistit Koke i cili kishte mbuluar fytyrën me fanellë për humbjen e penaltisë.
“Ekipi inferior i Spanjës kundër Rusisë nuk mund të mbante barrën e largimit të Lopeteguit”, shkruan ABC.
Largimi i Lopeteguit theksohet si arsyeja kryesore për dështimin e Spanjës në Botëror, shkruan gazeta “El Pais”, e cila shton se humbja nga Rusia vetëm konfirmon të vërtetën e hidhur për kombëtaren e dobët të Spanjës.