Dy vetë zihen, i treti fiton

‘Kur dy vetë zihen, i treti fiton’, kjo thënie popullore më së miri e karakterizon betejën disavjeçare mes BDI-së dhe PDSH-së se kush e ka autorësinë mbi projektin ‘Shkupi 2014’. Dy ditëve të kaluara u rikthye debati në këtë çështje, dhe në luftë pres konferencash, dy partitë njëra tjetrës i hodhën fajin për projektin më kontradiktor në vend. 

Analistët politikë vlerësojnë se dy partitë shqiptare kanë qasje të gabuar. Albert Musliu thotë se PDSH dhe BDI, në vend se të merren me atë se kush i ka fajet, duhet të gjejnë mënyrën se si ta ndërpresin këtë projekt.

‘Unë e shoh këtë si një luftë të kotë, është luftë për poenë politikë, ndërsa realiteti tregon se mjete publike janë duke u shpenzuar në përmasa të mëdha për rrethanat në Maqedoni dhe kjo luftë e brendshme shqiptare nuk e ndërpret gjithë procesin, Shkupi 2014 vazhdon, bilës me kalimin e ditëve zmadhohen edhe shpenzimet, siç shohim lloj-lloj bustesh të reja na paraqiten, shpenzime të reja, ndërsa partitë politike shqiptare merren me lojën, kujt do t’i ngelet faji’.

Musliu thotë se, kujt do t’i ngelet faji është punë e fajit politik, të cilin qytetarët do ta sqarojnë kur të vjen koha e zgjedhjeve.

‘Në këtë moment ata duhet t’i bashkojnë fuqitë dhe të ndërpresin këtë çmenduri shpenzimesh në një situatë krize ekonomike, të cilën e pranojnë gjithë subjektet. Edhe VMRO-DPMNE e pranon se ne jemi të prekur prej krizës ekonomike evropiane dhe të brendshme, ndërsa shpenzimet joproduktive vazhdojnë. Nuk bëjnë luftë se si t’i ndërpresin këto shpenzime, por bëjnë luftë se kujt t’i ngel faji, ndërsa rezultati nuk do mungon, Shkupi 2014-të vazhdon jo vetëm të realizohet, por edhe të zgjerohet’.

‘Problemi se pse dy partitë më të mëdha akuzohen mes veti për Shkupin 2014 dhe përpiqen që si fajtor ta paraqesin palën tjetër rrjedh nga fakti se asnjëri nga ata nuk ka ndonjë rol të rëndësishëm në përpilimin e këtij projekti’, thotë për Portalb analisti Ibrahim Mehmeti.

‘Mirëpo përgjegjësia e tyre për bashkëpjesëmarrjen e tyre në këtë projekt është se ata nuk janë përpjekur ose nuk kanë ditur të mundohen që ky projekt  të jetë i pranueshëm edhe për shqiptarët, por edhe për gjithë qytetarët, se ne e shohim se edhe maqedonasit nuk e pëlqejnë këtë projekt, disa për shkaqe estetike, disa për shkaqe ekonomike, apo politike’ thotë Mehmeti.

Mehmeti thotë se roli i partive shqiptare është i qartë, se sipas tij, ata nuk kanë pasur kapacitet që ta anticipojnë efektin përfundimtar të atij projekti, ndoshta kanë qenë të informuar për faza të ndryshme të përpilimit të këtij projekti, por nuk e kanë ditur se si do të duket në fund.

‘Dhe tani kur shohin se ky projekt  i cili nga njëra anë i përdor mjetet e përbashkëta për një projekt mono etnik dhe kryesisht politik, atëherë kuptohet se edhe opinioni kërkon përgjegjësi dhe në mungesë të argumenteve të shpjegimit kredibil për rolin e tyre, ata përpiqen t’ia hedhin fajin njëri tjetrit, mirëpo mendoj se gjithë ata që kanë qenë në pushtet në faza të ndryshme të këtij projekti duhet të përgjigjen dhe të japin shpjegim se pse është lejuar zhvillimi i një projekti i cili është i njëanshmëm dhe tek e fundit është i disfavorshëm edhe për Maqedonisë si shtet dhe jo vetëm për shqiptarët’, thotë Mehmeti.

BDI dhe PDSH gjatë ditëve të kaluara shkëmbyen akuza të ndërsjella rreth autorësisë dhe fajit për zbatimin e projektit Shkupi 2014, që në fakt ishte premtim parazgjedhor i VMRO-DPMNE-së. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button