Prokuroria dënon Rezartën me 82 orë punë të detyruar për rrahjen e Rozanës

Prokuroria jep pretencën për sherrin me grushte me Rozana Radin.

Inati i shfryrë me dhunë mbi këngë-taren Rozana Radi mbrëmjen e 5 dhjetorit 2010 mund t’i kushtojë këngëtares Rezarta Shkurta 82 orë punë në shërbim të komunitetit.

Prokurori Ervin Karanxha, përfaqësuesi i Prokurorisë së Tiranës në dosjen penale ku e pandehur është këngëtarja Shkurta, kërkoi dje deklarimin e fajshëm të saj për akuzën e “plagosjes së lehtë me dashje”.

 Sipas Prokurorisë, rezulton e provuar se Shkurta ka konsumuar veprën penale për të cilën akuzohet. Në pretencën e saj, Prokuroria kërkon dënimin e Shkurtës me 82 orë pune në shërbim të publikut. Bëhet e ditur se kjo masë dënimi është e barasvlershme me një dënim prej 2 muajsh burg.

Këngëtarja Shkurta nuk ka qenë e pranishme në seancë, por ajo përfaqësohej nga avokati i saj mbrojtës. Pasi ka administruar në dosje kërkesën e Prokurorisë, gjykata ka vendosur ndërprerjen e seancës për t’i dhënë kohë avokatit të paraqesë konkluzionet e mbrojtjes. Seanca e djeshme ishte e 22-ta në radhën e seancave të këtij procesi gjyqësor. Në seancat e mëhershme, gjykata ka dëgjuar dëshmitë e dy “protagonisteve” të sherrit, si edhe personave të tjerë të pranishëm, mes të cilëve edhe bashkëshorti i Rezarta Shkurtës, Ermal Hoxha.

SHERRI

Përleshja fizike mes dy këngëtarëve është shënuar pak orë pas mesnatës së 5 dhjetorit 2010, pranë digës së Liqenit Artificial. “Më datë 06.02.2010, rreth orës 03:00, e pandehura Rezarta Shkurta është konfliktuar me shtetasen Rozana Radi duke e goditur atë me grushte në pjesën e fytyrës”, pohonte Prokuroria. Po sipas saj, duke iu referuar provave dhe aktit të ekspertimit mjekoligjor, rezulton se Rozana Radi është dëmtuar në pjesën e fytyrës dhe Rezarta Shkurta vetë nuk ka pasur asnjë dëmtim.

 Sipas deklarimeve prej tyre pas ngjarjes, fillesa e sherrit ka nisur në një program televiziv në Kosovë të quajtur “VIP shtëpia”, ku ato janë konfliktuar. Kohë më vonë, situata është komentuar në një program tjetër televiziv nga ana e Rozana Radit. Sipas Radit, fill pas kësaj, në adresën e saj në Facebook kanë mbërritur fyerje pa fund nga ana e Shkurtës.

Në vazhdën e debatit në facebook, që sipas Radit është shoqëruar me fyerje të rënda nga ana e Shkurtës, ato kanë lënë një vend për t’u takuar, pranë digës së Liqenit Artificial.

Lajme të ngjashme

Back to top button