Thaçi: Dialogu nuk ka kuptim pa njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, duke iu referuar takimit të zhvilluar me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të dielën në Bruksel, ka deklaruar se dialogu nuk do të kishte kuptim pa njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një konferencë për media, presidenti Thaçi foli lidhur me rezultatet e dala nga takimi me homologun e tij serb, i cili ishte i pari i fazës përfundimtare të procesit të dialogut në Bruksel me ndërmjetësimin dhe udhëheqjen e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini.

Thaçi theksoi se me me këto takime të fazës përfundimtare të dialogut Kosovë- Serbi synohet arritja e një marrëveshjeje gjithpërfshirëse ligjërisht dhe ndërkombëtarisht obliguese, si dhe ndërtimi i marrëdhënieve fqinjësore me Serbinë.

Duke theksuar se motiv për dialogun me Serbinë mbetet e ardhmja e sigurt evropiane, presidenti kosovar tha se më shumë se dy dekada vendi i tij ka kërkuar dialog për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve midis Kosovës dhe Serbisë.

“Arritja e marrëveshjes gjithëpërshirëse me Serbinë është e domosdoshme për qëllimin tonë që të bëhemi shtet anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, për të shpejtuar procesin e inregrimit të Kosovës në BE dhe në paktin NATO, për të siguruar vendin e merituar të Kosovës në arenën ndërkombëtare”, tha presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit theksoi se duhet të shfrytëzohet momenti kur ka një rifokusim të BE-së dhe të SHBA-ve për paqe dhe stabilitet në rajon, si dhe për integrimin e Kosovës dhe Serbisë në BE dhe NATO.

“Nuk do të ketë vija të kuqe sikur që ka pasur në grupin e kontaktit në rastin e bisedimeve të Vjenës. Do ta eloborohen vetëm temat për të cilat pajtohen dy palët, si një mundësi që dërgon deri te arritja e marrëveshjes përfundimtare. Nuk do të ketë marrëveshje tjetër të përkohshme, palët nuk do të lejohen të kushtëzojnë negociatat me këtë apo atë çështje. Marrëveshja përfundimtare duhet të jetë e dizajnuar në kornizat e kritereve, standardeve dhe vlerave të perspektivës evropiane dhe euroatlantike “, deklaroi Thaçi.

Ai gjithashtu theksoi nevojën për të arritur një konsensus më të gjerë politik dhe shoqëror në Kosovë mbi dialogun. Ndërsa në interes të transparencës dhe llogaridhënies, ai kujtoi se marrëveshja përfundimtare duhet të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës.

Duke iu përgjigjur pyetjes së parashtuar nga AA mbi atë se si do të vazhdojnë marrëdhëniet midis Kosovës dhe Turqisë, pas zgjedhjeve të 24 qershorit në Turqi, Thaçi tha se Kosova gjithmonë ka respektuar vullnetin e qytetarëve të një vendi sa i përket zgjedhjes së lidershipit të tyre. Ai theksoi se ka uruar presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, për fitoren në zgjedhje siç kanë bërë edhe liderët e tjerë botëror.

“Jemi zotuar për një vazhdim të bashkëpunimit shumë të mirë në mes të institucioneve të Kosovës dhe atyre të Turqisë. Turqia është një vend jashtëzakonisht strategjik, është prej vendeve të fuqishme në NATO dhe prej vendeve të para që e kanë njohur Republikën e Kosovës. Prandaj ne do të vazhdojmë me bashkëpunimin tonë të mirë institucional dhe presim që në të ardhmen të ndodhin edhe vizitat të bartësve të institucioneve të Kosovës në Turqi apo të Turqisë në Kosovë”, u shpreh Thaçi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button