USAID stimulon integrimin ndëretnik në shkolla

Ekipi i Projektit të USAID-it për integrim ndëretnik në arsim dhe dhjetë shkollat e zgjedhura në vend për rinovim nënshkruan memorandum për bashkëpunim. Projekti në vlerë prej  5.2 milion dollarëve është nismë katërvjeçare dhe do të ndihmojë këto dhjetë  bashkësi për të përmirësuar objektet e tyre shkollore, duke përfshirë edhe qasjen për nxënësit me aftësi të kufizuara.  

Projekti ka për qëllim ngritjen e vetëdijes dhe të sigurojë trajnime të ndryshme, ndihmë teknike dhe stimul për këshillat e shkollave, drejtorët e shkollave, mësimdhënësit dhe të punësuarit në komuna – përgjegjësit për arsim.

“Duke njohur shoqërinë multietnike dhe multikulturore të Maqedonisë, ne po punojmë së bashku me njerëzit e këtij vendi për të ndërtuar një kuptim të gjërë publik se si të gjithë qytetarët e Maqedonisë të përfitojnë nga integrimi ndëretnik  në arsim”, deklaroi Ambasadori i SHBA-ve, Paul D. Wohlers.  

“Kjo është shumë e rëndësishme në ndërtimin e kohezionit social dhe ndëretnik në të gjithë vendin. Një arsim i tillë do tu ndihmon qytetarëve të jenë në një pozitë shumë më të mirë që të marrin pjesë në mënyrë aktive në një shoqëri gjithnjë e më globale të shekullit 21” tha Wohlers.

Projekti për integrimin ndëretnik në arsim bashkëfinancohet nga USAID dhe Komanda e Shteteve të Bashkuara në Evropë, i cili do të punojë së bashku me të gjithë subjektet relevante në arsim në mbështetjen e përpjekjeve të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë për integrimin ndëretnik.

Që nga viti 1993, populli amerikan ka investuar mbi 500 milionë dollarë amerikanë në Maqedoni përmes USAID-it. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button