Ushtarët maqedonas vrasin 12-vjeçarin, prindërit humbin gjyqin

Maqedonasit vranë djalin tonë 12 vjeçar. Drejtësia e vendit fqinj jo vetëm që nuk dënoi ekzekutorët e një fëmije, por e konsideroi tragjedinë thjesht si një incident kufitar. Erigerti nuk ishte kontrabandist dhe as në shërbim të kontrabandistëve. Ne kërkojmë drejtësi, ndaj do i drejtohemi Gjykatës së Strasburgut”. Kështu deklaruan dje Sali dhe Flora Yzellari, prindërit e djalit shqiptar që u ekzekutua në vitin 1998 nga ushtarët maqedonas, transmeton Ballkanweb

Familjarët e viktimës reaguan pas mbylljes së procesit gjyqësor në Ohër të Maqedonisë. Pas 5 vitesh, Gjykata e Ohrit hodhi poshtë kërkesën e prindërve të 12 vjeçarit për kompensim financiar. Ndërkohë, familja Yzellari nga fshati Hudënisht e rrethit të Pogradecit akuzon publikisht maqedonasit se jo vetëm ua vranë djalin pa asnjë motiv, por i morën dhe organet e brendshme.

TRAGJEDIA

Në prill të vitit 1998, gjashtë fëmijë nga fshati Hudënisht i Pogradecit u mashtruan nga disa kontrabandistë bagëtish nga ky fshat (tre janë dënuar pas ngjarjes). Ata u thanë fëmijëve që të çonin tufat e lopëve në afërsi të fshatit maqedonas Frëngovë, ku i prisnin kontrabandistët e vendit fqinj. Kjo, kundrejt shpërblimit prej 1000 lekësh për secilin.

Rreth orës 06:20, rreth 150 metra brenda kufirit maqedonas (në afërsi të tunelit të Qafë–Thanës) janë dëgjuar të shtëna armësh automatike. 6 fëmijët e moshës nga 12 deri në 13 vjeç janë terrorizuar nga breshëria e plumbave, ndërsa njëri prej tyre, Erigert Yzellari ka mbetur i vrarë. Vetëm pak minuta pas vrasjes së Yzellarit, ka mbërritur një ambulancë, e cila e ka marrë trupin e pajetë të tij. Kufoma e minorenit është kthyer në orën 18:00 në doganën e Qafë–Thanës nga policia maqedonase.

Gjatë ceremonisë mortore, hoxha i fshatit, i cili ka larë kufomën e 12-vjeçarit (sipas një riti fetar) ka konstatuar se barku i fëmijës ishte krejt pa organe të brendshme dhe më pas barku ishte qepur me një fije spangoje në mënyrë primitive. Në atë kohë, familjarët e viktimës deklaruan se djali i tyre erdhi në arkivol, ndërsa nuk iu bë ekspertiza mjeko-ligjore nga policia e Pogradecit./BalkanWeb/Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button