Kosovë, nga 254 aktgjykime vetëm për 32 raste të korrupsionit dënime me burg

Gjykatat në Kosovë gjatë vitit 2017 kanë vendosur për 254 aktgjykime në rastet e korrupsionit ku vetëm 32 prej këtyre janë raste të dënimeve me burg, u tha sot gjatë konferencës së publikimit të Raportit të 12-të Vjetor të Monitorimit të Gjykatave për vitin 2017, raporton Anadolu Agency (AA).

Monitorimi i gjykatave është bërë nga Organizata Mediale BIRN (Balkan Investigative Reporting Network) dhe OJQ INTERNEWS KOSOVA, ku drejtoresha e BIRN Kosova, Jeta Xharra në fjalën e saj shpalosi rekomandimet në raportin ku tha se secila suazë e rasteve të korrupsionit duhet të incizohet me pajisjet video dhe audio nëpër sallat e Pallatit të Drejtësisë.

Ndërsa ajo shtoi se duhet të merren masa disiplinore kundër prokurorëve që vijnë në seanca të papërgatitur. Sa i përket Këshilli Gjyqësor të Kosovës duhet të rritet numri i gjykatësve tek rastet e korrupsionit veçanërisht në Gjykatën Themelore të Prishtinës sepse siç tha ajo, puna e tyre është më e ngarkuar se në gjykata të tjera.

Labinot Leposhtica, nga BIRN tha se janë monitoruar 10 mijë e 788 seanca gjyqësore që nga fillimi i këtij projekti para 12 viteve, të cilat kanë evidentuar shumë mangësi dhe shkelje të cilat sipas tij sot më nuk evidentohen.

Ai vuri në dukje se gjatë kësaj periudhe raportuese janë monitoruar gjithsej 307 seanca gjyqësore pjesa më e madhe e të cilave në Departamentin për krime të rënda të gjykatave themelore. Fokusi i këtij raporti siç tha Leposhtica janë rastet e korrupsionit, për të cilat shumica e qytetarëve perceptojnë se po i shkaktohet dëmi më i madh Kosovës me anë të këtyre veprave.

Leposhtica po ashtu përmendi edhe disa të gjetura nga raporti ku tha se janë disa raste të tjera që disa persona iu kanë shmangur drejtësisë dhe asnjëherë nuk janë paraqitur para drejtësisë. Ndërsa përvec 32 dënimeve me burg në rastet e korrupsionit e gjithë pjesa tjetër ka kaluar lehtë me dënime me kusht dhe dënime me gjobë.

“Gjatë vitit 2017 kemi pasur gjithsej 254 aktgjykime në rastet e korrupsionit. Ajo që është edhe më e rëndësishme dhe shqetësuese është se vetëm 32 prej këtyre rasteve janë dënime me burg të shqiptuara. Gjithashtu kemi pasur 58 dënime me gjobë dhe 56 dënime me kusht”, tha Leposhtica.

Dështimi i seancave me arsyen e udhëtime zyrtare të gjyqtarëve, mos caktimi i seancave gjyqësore, ndërrimi i deklaratave të dëshmitarëve, mosrespektimi i afatit ligjor për mbajtjen e shqyrtimit fillestar, prishja e rendit në shqyrtim gjyqësor, mbajtja e gjykimit në mos prezencë të akuzuarit, mos dërgimi i shkresave të lëndës, mungesa e interpretëve gjyqësorë, janë disa raste të tjera sipas raportit që shkaktojnë probleme të konsiderueshme në drejtësinë e vendit.

Ministri i Drejtësisë së Kosovës, Abelard Tahiri, sa i përket çështjes së buxhetit të Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial në vitin 2018, tha se ka ndodhë një rritje e madhe për katër vitet e fundit ku të dy këshillave ju shtohen afër 300 pozita të reja që janë bashkëpunëtorë profesional, zyrtar ligjorë në kuadër të dy këshillave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button