Kush e vendosi Skënderbeun në Shkup?

Partia Demokratike Shqiptare ka reaguar ndaj pohimeve të liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti në një emision debativ i cili ka thënë se vendimi për vendosjen e përmendores së Skënderbeut është miratuar në kohën e qeverisjes së partisë së tij me Lidhjen Socialdemokrate të Maqedonisë.

“Vendimi është marrë në kohën kur kanë qeverisur BDI-LSDM në qytetin e Shkupit për vendosjen e Skënderbeut dhe vendosjen e Aleksandrit të Madh” ka thënë Ahmeti.

Por nga ana tjetër përmes një konferencë për shtyp deputeti i PDSH-së, Bekim Fazliu ka thënë se e leja për përmendoren e Skënderbeut është dhënë nga ana e PDSH-së.

“Edhe njëherë rikujtojmë opinionin se leja për përmendoren e Skënderbeut është dhënë nga ana e PDSH-së ,nga këshilltarët e PDSH-së që ishin në qytetin e Shkupit e që detyruan VMRO-në të përkrahin dhënien e lejes përmendores së Skënderbeut me datë 23 Nëntor 2006” ka thënë Fazliu.

Akuzat e PDSH kanë vazhduar më tej për tërë projektin “Shkupi 2014” duke thënë se BDI është fajtore për ngritjen e përmendoreve të këtij projekti.

“Për ata që kanë harruar dhe ata që shtirren se kanë harruar dhe gënjejnë opinionin si Ali Ahmeti po ju rikujtojmë: Ky projekt për herë të parë është promovuar në ekspozenë e kryeministrit në ditën e votimit të qeverisë VMRO-BDI në parlament në gusht të vitit 2008.Promovimi 3D i këtij projekti është bërë më datë 4 shkurt të vitit 2010, ku në qeveri ishte VMRO me BDI-në. Ndryshimet në planin detal urbanistik të komunës Qendër dhe në planin gjeneral urbanistik të Qytetit të Shkupit për SHKUPIN 2014 janë bërë në vitin 2009 ku me qytetin e Shkupit udhëheq VMRO me BDI-në” ka thënë Fazliu duke theksuar se mjetet për realizimin e këtij projekti që arrijnë vlerën deri më tani disa qindra miliona euro janë ndarë nga buxheti i shtetit nga vitet 2008-2012.  

Nga ana tjetër, BDI  ka hedhur poshtë akuzat duke thënë se “Shkupi 2014” mban firmën ekskluzive të Partisë Demokratike Shqiptare.

“Deklarata e ish nënkryetarit të PDSH, z, Iljaz Halimit, që PDSH përkrah ndërtimin e Kishës në qendër të Shkupit dhe që PDSH-së nuk i intereson edhe nëse ndërtohen plot kisha të tjera në Shkup, dhënë në emisionin Rruga e Drejt në Alsat M, e tregon qartë autorësinë e PDSH-së mbi projektin kontrovers Shkupi 2014. Autori tjetër i projektit Shkupi 2014 është Arifhikmet Xhemaili në cilësinë e Ministrit të Kulturës së PDSHsë në kohën kur u miratuan vendimet për projektin monoetnik dhe monofetar, projekt të cilit BDI ia ndryshoi tërësisht karakterin duke përmirësuar gabimet e PDSH-së” shkruhet në komunikatën e BDI-së. Nga kjo parti kanë kërkuar nga PDSH të jep llogari para shqiptarëve për projektin Shkupi 2014, për vrasjen e demokracisë në vend, për uzurpimin e institucioneve të vendit dhe për qëndrimet kundër Kosovës dhe Shqipërisë. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button