Qeveria sërish premton, do të ul numrin e të rinjve papunë

Zv/ministri për Punë dhe Politikë Sociale, Ibrahim Ibrahimi në një konferencë në Gjenevë ka thënë se sipas strategjisë së Qeverisë të miratuar në vitin 2011, deri në vitin 2015 të rinjtë të moshës 15-29 do të jenë të punësuar deri në 29%, ndërsa për të rinjtë e moshës 15-24 vjeçe, 17%. 

“Duke pasur parasysh problemin e papunësisë së të rinjve, Qeveria në  Strategjinë e saj nacionale për punësim, viti 2015, e cila u miratua në vitin 2011, në prioritetet e saj parashihet edhe arritja e shkallës së punësimit te të rinjtë të moshës 15-29 vjeç në nivel prej 29%, ndërsa për të rinjtë e moshës 15-24 vjeçe, 17%”, tha zv/ministri për Punë dhe politikë sociale, Ibrahim Ibrahimi në sesionin e 101 të Organizatës ndërkombëtare të punës në Gjenevë, në të cilën bisedohet për “Punësimin e të rinjve në kushte të krizës”.

Por pas një viti, rezultatet ngecin sepse Maqedonia është lider për nga papunësia e njerëzve të rinj. Sipas statistikave të fundit të Organizatës ndërkombëtare për punë në Gjenevë, përqindja arrin deri në 39.9 për qind. Ndërkaq, mes tyre një numër i konsiderueshëm është edhe me diplomë fakulteti si dhe me Master. 

Të diplomuarit e papunë për Portalb thonë se punësimi edhe në sektorin privat është tepër i vështirë, ndërsa në atë publik i pamundshëm.

“Fatkeqësisht papunësia në Maqedoni, kryesisht tek të rinjtë është shumë e madhe. Kjo reflekton dukshëm në zhvillimin e të rinjve në shoqëri si perspektivë e së ardhmes. Mungesa e organizatave joqeveritare si rezultat i pasivitetit të sektorit joqeveritar për punë në mënyrë që t’i mundësojnë studentëve lidhjet e tyre dhe komunikimin me organizatat joqeveritare ndërkombëtare për punë. Në shtetin tonë sektori privat për punë është mjaft pasiv, dhe nuk ndërmerr hapa që t’iu krijojë një qasje normale ndërmjet të rinjve të interesuar për punë dhe ndërmarrjeve të ndryshme që ofrojnë punë”, deklaroi Deniz Sulejman gazetar i diplomuar në universitetin shtetëror të  Shën Qirili dhe Metodit.

Aktivitetet e fundit të Qeverisë në kuadër të masave antikrizë tregojnë se Qeveria do të harxhojë  4,5 milion euro për 2000 vende të reja të punës por vetëm 250 nga to do tu dedikohen të rinjve.

Ministri Saraçini tha se 750 vende të reja të punës do tu dedikohen të gjithë personave të cilët gjenden në regjistrin e të papunësuarve dhe vetëm 250 do jenë po ashtu nga lista e të papunësuarve, mirëpo deri në moshën 27 vjeçare./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button