A do të shkaktojë dridhje në skenën politike letra e Murat Jasharit?

Një letër e hapur me 372 pyetje nga vëllai i dëshmorit të kombit, Ismet Jashari-komandant Kumanova, Murati dërguar në adresë të deputetit, ish ministrit të transportevenë Kosovë dhe ish komandantit të UÇK-së së Kosovës, Fatmir Limaj, si duket do të shkaktojë dridhje në skenën politike në Kosovë, por edhe në mesin e strukturave politike të përfshira në luftërat e viteve 1998-99 në Kosovë dhe 2001 në Maqedoni. 

Murat Jashari, përmes letrës së hapur drejtuar Limajt, pyet atë lidhur me rrethanat e pashpjeguara të vrasjes së vëllait të tij, rreth asaj se kush e ka formuar lëvizjen për çlirimin e Kosovës, se ku janë paratë e luftës,  ndërsa në tërësi letra me 372 pyetje e vë në dyshim veprimtarinë e Limajt para dhe pas luftës.

Murat Jashari në këto pyetje hedh dyshime mbi sinqeritetin e Limajt dhe të tjerëve për nisjen e luftës së UÇK-së si dhe shpreh shqetësimin e për involvimin e mundshëm të Limajt në struktura të ndryshme sekrete, por dhe për qërimin e hesapeve me kundërshtarët  apo të tjerët që mendojnë dhe veprojnë ndryshe. 

Disa nga pyetjet për organizimin e luftës janë: 

Cili ka qenë fondi i juaj financiar, emërtimi, sa para grumbulluat për luftën, kush e drejtonte atë fond, sa para keni harxhuar dhe sa humbën në fund të luftës?
A kishit ndërmend që ta prisnit daljen nga burgu të Ukshin Hotit më 17 maj 1999 dhe nëse nuk e kishit, pse nuk e kishit parashikuar?
Në mbledhjen e Shtabit të Përgjithshëm, kur u emërua Ekrem Rexha (Komandant Drini) komandant për Zonën e Pashtrikut, a ke qenë prezent?
Kush e propozoi? Po në Shtab të Përgjithshëm më pas, kush e emroi?
A e dinit se Ekrem Rexha ishte anëtar i partisë së Mira Markoviçit?

Jashari hap edhe çështjen e ndaljes së befasishme të luftës së UÇPMB-së, për mos dhënien e ndihmës së premtuar nga ai për luftën në Maqedoni etj.

Murat Jashari, vëllai i komandantit të rënë të UÇK-së, Ismet Jasharit-Komandat Kumanovës në letrën drejtuar Fatmir Limajt dhe pak i njohur për opinioni publik në Maqedoni, paralajmëron se me pyetje të kësaj natyre – në ditët në vijim, do të përballen edhe: Ali Ahmeti, Xhavit Haliti, Azem Syla, Adem Grabovci, Hashim Thaçi, Emrush Xhemaili, Gafur Elshani, Ibrahim Kelmendi, Jakup Krasniqi, Fazli Veliu, Ramush Haradinaj dhe Musa Xhaferi./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button