Rektori i USHT-së, poeti Ali Podrimja model i përkryer krijuesi e atdhetari

Me rastin e ndarjes nga jeta të poetit të njohur Ali Podrimja, rektori i Universitetit Shtetëror të Tetovës, prof. dr.Vullnet Ameti, në emër të mësimdhënësve, studentëve dhe drejtuesve të Universitetit, u dërgoi telegram ngushëllimi Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Republikës së Kosovës dhe  familjes Podrimja   

Në telegramin e ngushëllimit mes tjerash thuhet: “Me pikëllim të thellë e pritëm lajmin për vdekjen e poetit dhe lirikut me renome ndërkombëtare Ali Podrimjes. Ikja e tij e papritur ka shkaktuar humbje të pakompenzueshme në letërsinë dhe në kulturën shqiptare, duke qenë se për vite të tëra ishte ambasadori më i denjë i shpirtit dhe gjenisë sonë në metropolet e artit evropian e botëror. 

Pa dyshim që tash e tutje letërsia shqipe dhe ballkanike do të jetë më e varfër për një zë autentik Orfeu, për një mjeshtër të madh vargu, për një personalitet arti e letërsie që lind një herë në njëqind vite. Ali Podrimja do t’na mungojë të gjithëve, në veçanti dashamirëve të artit poetik dhe gjithë komunitetit të krijuesve letrarë. Fatmirësisht, poeti ynë la pas vetes thesare të paçmueshme artistike dhe kujtesën e një Njeriu të dashur e të paharruar. Si i tillë Ai do të mbetet burim frymëzimi për brezat që vijnë pas nesh, si model i përkryer krijuesi e atdhetari, që jetoi e vdiq vertikalisht. 

Pranoni ngushëllimet më të sinqerta të mësimdhënësve, studentëve dhe drejtuesve të Universitetit Shtetëror të Tetovës me rastin e kësaj humbjeje të madhe për gjithë shqiptarët.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për të”. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button