Misioni i EULEX-it në Kosovë me mandat të ri

Misioni i EULEX-it, mandati aktual i të cilit do të përfundojë më 14 qershor, ka marrë një mandat të ri deri më 14 qershor 2020, ku me vendimin e sotëm të Këshillit të Bashkimit Evropian i jepet fund pjesës ekzekutive gjyqësore të mandatit të këtij misioni dhe vendi do të marrë përgjegjësinë për të gjitha hetimet, ndjekjet penale dhe gjykimet e transferuara, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një njoftim në uebfaqen e Këshillit të BE-së thuhet se ky këshill ka vendosur që të rifokusojë mandatin e EULEX-it në Kosovë.

“Misioni, i themeluar 10 vite më parë, ka pasur dy objektiva operacionale: një objektiv monitorimi, mentorimi dhe këshillimi, duke u ofruar mbështetje institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë dhe dialogut Beograd-Prishtinë si dhe një objektiv ekzekutiv, duke mbështetur gjykimin e të drejtës kushtetuese, civile dhe ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve të përzgjedhura penale. Vendimi i sotëm i jep fund pjesës ekzekutive gjyqësore të mandatit të misionit në Kosovë dhe vendi do të marrë përgjegjësinë për të gjitha hetimet, ndjekjet penale dhe gjykimet e transferuara”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq në një komunikatë nga Zyra e EULEX-it në Kosovë thuhet se “Pas vendimit të Këshillit dhe shkëmbimit të letrave ndërmjet Presidentit Hashim Thaçi dhe Përfaqësueses së Lartë të BE-së Federica Mogherini, Misioni i EULEX-it ka marrë një mandat të ri deri më 14 qershor të vitit 2020”.

Duke bërë të ditur se EULEX-i do të vazhdojë t’i mbështesë institucionet përkatëse të sundimit të ligjit në Kosovë në rrugëtimin e tyre drejt rritjes së efektivitetit, qëndrueshmërisë, shumë-etnicitetit dhe llogaridhënies, të lira nga ndërhyrjet politike dhe në përputhje të plotë me praktikat më të mira të BE-së, në komunikatë thuhet se:

“Ky mision do t’i monitorojë disa raste dhe gjykime të përzgjedhura në institucionet kosovare të drejtësisë penale dhe civile, si dhe do të vazhdojë monitorimin, mentorimin dhe këshillimin e Shërbimit Korrektues të Kosovës. Po ashtu, ai do të ofrojë mbështetje operative për zbatimin e marrëveshjeve nga dialogu i lehtësuar nga BE-ja dhe do ta mbajë rolin e tij si reagues i dytë në fushën e sigurisë. EULEX Kosova do të vazhdojë t’i mbështesë procedurat gjyqësore të zhvendosura në Hagë në përputhje me legjislacionin përkatës të Kosovës”.

EULEX Kosova është krijuar në vitin 2008 si misioni civil më i madh në kuadër të Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes (PPSM) të Bashkimit Evropian. Misioni i përgjithshëm i EULEX-it është që t’i ndihmojë autoritetet e Kosovës në krijimin e institucioneve të qëndrueshme dhe të pavarura të sundimit të ligjit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button