Mister vdekja e Ali Podrimjes. 30 vjet më parë po në Francë iku i biri 10 vjeç

Ende me mister vdekja e Ali Podrimjes i cili ishte zhdukur për tre ditë dhe më tej u gjet të shtunën nga policia franceze në qytetin Lodev në një pyll pranë një lumi, i vdekur.

Por misteri shtohet edhe më shumë për vetë faktin se po në Francë, para 30 vjetësh Ali Podrimja kur ishte plot 40 vjeç, humbi të birin e tij atëherë 10 vjeç. Lumi atëherë u gjet i vdekur duke dërrmuar shpirtin e të atit.

Dhe Lumi që u zhduk atëherë sot do të ishte 40 vjeç, ose po aq sa ishte i ati Aliu, kur përjetoi humbjen e tij.

Lumi e ka pasur emrin djali i tij i cili vdiq në moshë shumë të re. Ai vuante nga kanceri dhe u kurua në Francë. “Lum Lumi” është libri ku Podrimja shkruan për marrëdhëniet e tij me djalin. Dhe vdekjen për koiçidencë e gjen pranë një lumi.
Vitet e fundit Poeti Podrimja ishte prekur nga sëmundja e Alzaimerit, sëmundja e dobësimit serioz të kujtesës.

Ali Podrimja, poeti i mirënjohur shqiptar u gjet i vdekur, pa shenja dhune, në breg të një lumi në qytetin francez Lodev, pas një mungese treditore.

Poeti Ali Podrimja kishte humbur kontaktet me kolegët dhe miqtë e familjarët e tij nga data 18 korrik, në kohën kur po qëndronte në Francë në kuadër të festivalit të poezisë “Voix de la Méditerranée”, në qytetin e Lodève.

Hetimet e Francës

Autoritetet franceze deklaruan se ende po punojnë në zbardhjen e plotë të rrethanave të humbjes së jetës së poetit Ali Podrimja. Ata po zhvillojnë të gjitha procedurat e parapara ligjore dhe brenda pak ditëve pritet të dalin me raportin mjekoligjor për rrethanat e kësaj ngjarjeje.
Nga të dhënat e deritashme, dihet se trupi i poetit Podrimja është gjetur në një pyll në anën perëndimore të qytetit Lodeve diku rreth 4 kilometra në vijë ajrore nga qendra e qytetit Lodeve, trupi i poetit ndodhej rreth dy metra afër një rrjedhe të ujit dhe në trupin e tij nuk kishte asnjë shenjë dhune, lëndimi apo agresioni.

Sakaq, ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, përmes Ambasadës së Kosovës në Francë, është në kontakte të vazhdueshme me autoritetet franceze gjatë kryerjes së procedurave mjekoligjore dhe përgatitjes për kthimin në atdhe të trupit të pajetë të poetit kosovar, Ali Podrimja.

Aktualisht trupi i poetit ndodhet në Klinikën e Mjekësisë-Ligjore në Montpellier, kurse gjatë 2-3 ditëve në vijim do të kryhet procedura e autopsisë, për të analizuar hollësisht shkaqet e vdekjes. Pas përfundimit të autopsisë, gjykatësi hetues duhet të vendos për lejen për transportimin e trupit për riatdhesim.

Sa shumë dhimbje për Lumin në veprat e Podrimjes

Në ciklin e poezive të përfshira në vëllimin “Lum lumi”, që me leximin e parë shquan dhimbjen në përmasa totale për sëmundjen e pashërueshme të të birit Lumi, por njëkohësisht është e pranishme edhe fryma e krenarisë dhe e qëndresës së fisit. Është e pranishme, gjithashtu edhe dhimbja për syrin e birit të sëmurë, për të cilin ka nevojë frëngjia e kullës në mbrojtjen e truallit dhe të dheut. Edhe tek poezia tjetër “Dhoma e vdekjes” janë të pranishme grimca dhe reflekse të legjendave autoktone: lufta nëpër shekuj e fisit ndaj të keqes në përgjithësi. Në drejtim të ligjërimit artistik, poezitë e vëllimit “Lum lumi” mund të emërtohen si lirikë e pikëllimit, me prirje elegjiake. Në këtë poetikë vërehet shqiptimi i drejtpërdrejtë i emocionit dhe i mesazhit, pa mbështjelljen e domosdoshme me petkun figurativ. Këtë derdhje të drejtpërdrejtë të botës së brendshme të pikëlluar, që vetëpërmbahet nga një tendosje e madhe shpirtërore dhe fizike, gjendet në atë pjesë të lirikës së Ali Podrimjes, të cilën mund ta emërtojmë dhe si lirikë politike.

Lajme të ngjashme

Back to top button