Gjithçka gati për vizitën e Ban Ki-Moon

Në kuadër të turneut të tij diplomatik në rajon, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, do ta vizitojë nesër Kosovën. Autoritetet policore thonë se është hartuar një plan që ka për qëllim sigurinë e sekretarit dhe stafit të tij.

Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Ban pritet t’i takojë disa nga përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, dhe do të vizitojë edhe administratën e UNMIK-ut, beri të ditur zëdhënësja e kësaj administrate, Andrea Yang.

“Sekretari i përgjithshëm do të udhëtojë për në Kosovë nesër, dhe do të largohet vonë në mbrëmje. Sipas agjendës së tij, ai do të takohet me përfaqësuesit e Kosovës, por nuk mund ende t’ju them se me kë saktësisht do të takohet. Pastaj ai do të vijë në UNMIK, ku do të takohet me stafin, dhe zyrtarë të tjerë të organizatave”, tha Yang për Radion Evropa e Lirë, duke mos dhënë detaje të tjera se cilat vende do t’i vizitojë Ban Ki-moon.

Nga ana tjetër, autoritetet policore thonë se lidhur me këtë vizitë, policia ka hartuar një plan që ka për qëllim sigurinë e sekretarit dhe stafit të tij.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani tha se drejtuesit e policisë, për këtë vizitë, kanë angazhuar një numër të konsiderueshëm të zyrtarëve policorë.

“Të gjitha përgatitjet e nevojshme në aspektin policor janë ndërmarrë me kohë. Ne kemi përgatitur urdhrin operativ të Policisë së Kosovës, ku janë të inkuadruar të gjitha njësitet e nevojshme relevante për të qene të gatshme për çfarëdo reagimi që kërkohet rreth kësaj vizite”, tha Kelani.

Ndryshe, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës vizitën e Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, e shohin si të rëndësishme, duke e vlerësuar si një përqendrim të tij dhe të OKB-së për zhvillimet politike që ndodhin në Kosovë.

Lajme të ngjashme

Back to top button