Mattis: Duhet të gjejmë mënyrë për interesat legjitime të Turqisë

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, ka deklaruar se Turqia është një vend që është në linjën e duhur të NATO-s pasi që ndodhet në vijën e parë të frontit të katastrofës të cilën regjimi i presidentit sirian Bashar al-Assad me ndihmën e Iranit dhe Rusisë i ka shkaktuar popullit të vet, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë udhëtimit për në Bruksel ku do të marrë pjesë në takimin ministror të NATO-s, Mattis para gazetarëve tha se SHBA duhet të gjejë mënyrë për përmbushjen e interesave legjitime të Turiqsë.

Ai këtë e tha në kontekstin e marrëveshjes turko-amerikane të arritur së fundmi për udhërrëfyesin e zgjidhjes së problemeve në Munbixh të Sirisë, i cili është nën pushtimin e organizatës terroriste YPG/PKK e cila vepron nën petkun e të ashtuquajturës Forcat Demokratike Siriane (SDF).

“Punojmë në drejtim të përmbushjes së kërkesave legjitime të sigurisë dhe interesat e Turqisë, aleatit tonë në NATO. Njëkohësisht, SDF është një organizatë e cila ka zhvilluar një luftë të ashpër dhe ka mposhtur terroristët e DEASH-it dhe nuk do ta lëmë në skaj”, ka thënë Mattis.

Ai ka thënë se është e rëndësishme të ndërmerren të gjitha masat ashtu që organizata terroriste DEASH të mos rimarrë fuqinë në rajon, duke shtuar se lufta në Siri është shumë e ndërlikuar.

Në pyetjen e gazetarit, se si mendon SHBA që njëkohësisht të bashkëpunojë me Turqinë dhe terroristët e YPG/PKK-së të cilët fshihen pas termit SDF, Mattis ka thënë se kjo është një çështje skajshmërisht e komplikuar.

“Kjo është fusha më e komplikuar e luftës që kam parë ndonjëherë. Mirëpo, ne punojmë në shmangien e brengave të sigurisë të Turqisë dhe njëkohësisht mposhtim DEASH-in. E pranoj se kjo është një punë e komplikuar, por jemi duke punuar rreth kësaj. Përpiqemi të gjejmë zgjidhje, jo kundër Turqisë, por me Turqinë”, përfundoi Mattis.

Munbixhi është një qark në bregun perëndimor të Eufratit, i cili nga gushti i vitit 2016 është nën okupimin e organizatës terroriste YPG/PKK, e cila në veri të Sirisë vepron nën petkun e të ashtuquajturës Forcat Demokratike Siriane (SDF).

Turqia ka paralajmëruar se kjo është dega siriane e organizatës terroriste PKK, kurse SHBA konsideron se SDF është një partner i besuar në luftën kundër DEASH-it. Në përbërje të SDF-së janë përfshirë disa grupe të vogla të armatosura të arabëve lokalë, kështu që Washingtoni pretendon se nuk ndihmon terroristët, por luftëtarët arabë në Siri.

Delegacioni i Turqisë dhe SHBA-së javën e kaluar në Ankara u dakorduan për planin e zgjidhjes të çështjes së Munbixhit, sipas të cilit terroristët duhet të largohen nga rajoni në disa faza, ndërsa pushtetin ta marrin banorët lokalë me mbështetjen e forcave turke dhe amerikane.

Në fillim të javës në Washington u takuan shefat e diplomacisë turke dhe amerikane Mevlüt Çavuşoğlu dhe Mike Pompeo, ku përpiluan udhërrëfyesin e vendosjes së sigurisë dhe stabilitetit në Munbixh.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button