Soltes viziton Kosovën para se të raportojë në Parlamentin Evropian

Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes, në vizitën e tij në Kosovë, është takuar me zyrtarë të lartë të institucioneve vendore duke përfshirë presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrin, Ramush Haradinaj, transmeton REL.

Pas takimit të tij me Thaçin, presidenti ka thënë se institucionet po punojnë që të krijohen sa më shumë argumente pozitive për Kosovën.

“Jemi duke punuar që të ndërtojmë konsensus politik për dialogun me Serbinë. Mos harroni që është krijuar një perceptim që i gjithë rajoni po ndihmohet, përpos Kosovës”, është shprehur Thaçi.

Ndërkohë përmes një komunikate për media nga Presidenca, është thënë se raportuesi i BE-së për Kosovën, Igor Šoltes, ka deklaruar se gjendet në Kosovë për të mbledhur sa më shumë të dhëna, që të raportojë në Parlamentin Evropian.

Ndërkohë, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka informuar Soltesin për të arriturat dhe progresin që ka shënuar Kosova.

Në komunikatën e Qeverisë thuhet se kryeministri ka informuar raportuesin Soltes për “zbatimin e reformave në legjislacion, dhe për dinamikën e përshpejtuar të reformave në fushën e sundimit të ligjit dhe zhvillimit ekonomik”.

“Institucionet e Kosovës janë në linjë me detyrat e veta se çka duhet bërë sa i përket rrugës tonë drejt integrimeve euroatlantike. Ne kemi treguar përkushtim të plotë për vlerat evropiane”, është cituar të ketë thënë Haradinaj.

Sipas tij qytetarët e Kosovës me të drejtë presin vendim pozitiv për lëvizje të lirë në zonën Shengen.

Soltes në anën tjetër ka vlerësuar progresin e arritur në Kosovë, duke inkurajuar institucionet që të vazhdojnë përkushtimin e tyre në përmbushjen e reformave që dalin nga agjenda evropiane.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button