Vlorë, pranga 3 mjekëve Falsifikonin tenderat e ilaçeve

Tre mjekë janë arrestuar sot nga policia e Vlorës për falsifikim dokumentash të tenderave të medikamenteve për një kohë më shumë se dy vjeçare, duke përfituar kështu shuma të mëdha financiare në mënyrë të jashtëligjshme.

Në sajë të hetimeve të kryera nga seksioni Kundër Krimit- Ekonomik e Financiar dhe Taks- Forcës, është bërë i mundur arrestimi i mjekëve Edmond Bala, 59 vjeç, drejtor i Qendrës Shëndetësore Armen, Pëllumb Musarai, 46 vjeç, punonjës i Qëndrës Shëndetesore Selenicë, si dhe Besiana Nuredinaj, 31 vjeç, ekonomiste pranë Qendrës Shëndetësore Selenicë.

Veprimi ka ardhur pas një denoncimi të bërë nga një shtetas që ka konkuruar për tenderimin e medikamenteve dhe që ka konstatuar shkelje të hapura në konkurrimin e tenderave të blerjes së medikamenteve dhe furnizimin me medikamente të Qendrës shëndetësore të Selenicës dhe Armenit. 

Sipas tij, mjekët, të cilët ishin anëtar të komisionit të tenderimit, kanë favorizuar persona të tjerë për të fituar tenderat e këtyre qendrave duke falsifikuar dokumentat, me qëllim përfitimin personal. 

Grupi hetimor ka sekuestruar një numër të konsiderueshëm të dokumentave të zhvillimit të tenderave në këto qëndra shëndetësore, ndërsa materialet proceduriale në ngarkim të këtyre shtetave i kanë kaluar për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë. 

Lajme të ngjashme

Back to top button