Rritet konsumimi i duhanit tek të rinjtë në BE
![Duhani](https://i2.wp.com/arkiv.portalb.mk/wp-content/uploads/2014/05/FEBF5591C6BA7FDC96F3D1352293140D.jpg?fit=400%2C286&ssl=1)
Niveli i konsumimit të duhanit tek të rinjtë e grupmoshës 15-24 vjeç në Bashkimin Evropian (BE) është rritur në 29 për qind, transmeton Anadolu Agency (AA).
Anëtari i Komisionit të BE-së, përgjegjës për shëndetin dhe sigurinë e ushqimit, Vytenis Andriukaitis deklaroi se 273 mijë e 400 persona në gjithë BE-në gjatë vitit 2015 e kanë humbur jetën nga kanceri i mushkërive, i cili buron nga konsumimi i duhanit.
Sipas tij, niveli i konsumimit të duhanit në BE që nga viti 2014 e deri më tani është 26 për qind. “Është shqetësuese se në vitin 2014 ky nivel në grupmoshat 15-24 vjeç ka qenë 25 për qind ndërsa në vitin 2017 është rritur në 29 për qind”, thotë Andriukaitis.
Ai tha se BE-ja në vitin 2020 do t’i ndalojë cigaret me mentol duke shtuar se edhe përdorimi i cigares elektronike, e cila është e përhapur në mesin e të rinjve është e dëmshme për shëndetin e njeriut.