Kosovë, Kriza financiare në Telekom shtyn zbatimin e kodit telefonik +383

utoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) ka marrë vendim që zbatimi i kodit telefonik +383 të shtyhet deri më 31 tetor të këtij viti.

Zbatimi i plotë i këtij kodi ka qenë e paraparë të nisë më 30 qershor.

Kreshnik Gashi, kryetar i Bordit të ARKEP-it, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se vendimi për shtyrje është marrë pas kërkesave të operatorëve të telefonisë mobile dhe fikse që veprojnë në tregun e Kosovës: Vala dhe Ipko.

“Telekomi i Kosovës nuk ka pasur mundësi, sipas tyre, të realizojë zbatimin, për shkak të mungesës financiare që ka. Operatori Ipko e ka përfunduar një pjesë të madhe të zbatimit, por ka kërkuar më tepër kohë për heqje të plotë të kodit +386 nga funksioni”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, operatorët që nuk e kanë përfunduar zbatimin e kodit +383 në rrjetet e telefonisë fikse, obligohen që brenda afatit kohor prej 30 ditësh të përfundojnë këtë proces.

Kodi shtetëror telefonik i Kosovës është ndarë në dhjetor të vitit të 2016 nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikimeve (ITU).

Ky kod ishte rezultat i bisedimeve në Bruksel, ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Ndryshe, kodi shtetëror i Kosovës +383 ka filluar të zbatohet nga aplikacione të ndryshme.

Aktualisht në Kosovë operojnë tre operatorë të telefonisë mobile dhe fikse, të cilët shfrytëzojnë kode të huaja ndërkombëtare.

Telefonia mobile “Vala” shfrytëzon kodin e Monakos (+377), ajo e IPKO-s kodin e Sllovenisë (+386), kurse telefonia fikse shfrytëzon kodin e Serbisë (+381).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button