Siri, përleshjet trondisin Damaskun

Intensifikohen luftimet përreth kryeqytetit sirian Damaskut, bëjnë të ditur aktivistët. Të shtëna janë regjistruar në një nga rrugët kryesore dhe në një shesh ku ndodhet banka qendrore. 

Raportohet gjithashtu për tanke që kanë depërtuar në periferinë jug-perëndimore të Midanit dhe përleshje ku janë përfshirë edhe helikopterë në veri-lindje të qytetit. 

Luftimet ndodhin në një moment kur i dërguari i OKB-së dhe Ligës Arabe, Kofi Annan përgatitet të takohet me presidentin rus Vladimir Putin, për të diskutuar pikërisht për Sirinë. 
Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton tha se shpresonte që zoti Annan të bindë Rusinë që të pranojë ashpërsimin e masave. 

Ndërkohë, ish-ambasadori sirian në Irak, që dezertoi, Nawaf Fares tha për BBC se regjimi nuk do të hezitojë të përdorë armë kimike nëse do të ndodhet në vështirësi. 

Zoti Fares, politikani më i vjetër sirian që ka dezertuar duke u radhitur përkrah opozitës, tha gjithashtu se bombardime më të mëdha në mbarë Sirinë janë orkestruar nga qeveria në bashkëpunim me Al Kaedën. 

Dhuna vazhdon të përhapet në Siri dhe në kryeqytetin Damask, me rebelët, tani më të armatosur dhe më të organizuar, që përballen me ushtrinë dhe qeverinë e mbështetur nga milicia. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button