Analistët: koalicioni PDSH-LSDM, koalicion dëshpërimi

Koalicioni i paralajmëruar mes partive opozitare PDSH dhe LSDM shihet me dioptri të ndryshme nga analistët politik shqiptar dhe maqedonas. Deri sa për analistin dhe funksionarin e lartë të viteve të nëntëdhjeta të PDSH-së, Aljadin Demirin, ky është një koalicion dëshpërimi, për analistin Petar Arsovski ai është i natyrshëm dhe po heq edhe një stereotip nga politika e vendit, dhe dëshmon se në politikë ka vetëm interes politik dhe atë se ndal as ideologjia dhe as etnia.

“Ky koalicion është koalicion i dëshpërimit,  për arsye se principialisht nuk ka vend për një koalicionim të atillë, pasi që këto dy parti mes vete kanë ushqyer një urrejtje dhe gjithë kohës e kanë ngritur në nivel të veprimit politik, mirëpo  fakti që disa zgjedhje me radhë janë duke i humbur si Cërvenkovski ashtu edhe Thaçi janë duke e parë këtë si shanse të fundit për të mbijetuar në politikë dhe e kërkojnë zgjidhjen aty ku nuk ekziston” deklaron analisti politik Alajdin Demiri.

Sipas tij ky koalicion është joparimor edhe për disa aspekte tjera, aspekti  etnik dhe atë politik, për arsye se LSDM-ja është parti e majtë, PDSH tenton të jetë e djathtë dhe koncepti i të majtës-djathtës këtu humbet,  ndërsa e fundit dhe më e rëndësishme është ta bindin anëtarësinë e vet  edhe PDSH-ja edhe LSDM që të jetojë realisht ky koalicion.

“Elektorati do të jetë mjaft i zhgënjyer dhe i dëshpëruar për arsye se  ky koalicion i cili është jo frytdhënës parasheh se aty ku konkurron LSDM-ja, nuk mund të ndihmon PDSH-ja dhe aty ku konkurron PDSH-ja nuk mund të ndihmon LSDM-ja” thotë Demiri.

Arsovski kundërshton këtë tezë, ai thotë se partitë e ndryshme politike, për nga etnia dhe ideologjia edhe deri tani kanë  bashkëpunuar në nivel lokal përmes shtabeve të tyre lokale.

“Deri tani ky bashkëpunim shumë mirë ka funcionuar në nivel të shtabeve partiake lokale,  dhe kështu që nuk shoh se mund të kenë problem të njëjtën gjë ta bëjnë edhe tani. Është e vërtetë se nuk kemi pasur një koalicion formal mes një partie shqiptare dhe maqedonase, por njëkohësisht nuk ka pasur asnjë proces zgjedhor ku shtabet lokale të partive shqiptare dhe maqedonase nuk kanë bashkëpunuar, ashtu që ky është një proklamim publik i asaj që gjithmonë ka ngjarë” thotë Arsovski.

Dy analistët janë të bindur se ky koalicionim do ti detyron në koalicionim edhe partitë në pushtet BDI-në dhe VMRO-DPMNE-në.

“Tash më ky koalicion është i detyruar për arsye se atyre nuk u ngelet zgjedhje tjetër , alternativë tjetër, përveç faktit që  të koalicionojnë mes vete,  ajoi që është e rëndësishme të thuhet është ajo se këto koalicione nuk bëhen për parime, nuk kanë as karakter politik as etnik, kanë vetëm një karakter si të mbijetojnë në pushtet, dhe këtu partitë shqiptare e dëmtojnë veten dhe elektoratin” thotë Demiri.

“VMRO-DPMNE dhe BDI janë në koalicion në nivel qeveritar, dhe është normale që të koalicionojnë edhe në nivel lokal, dhe këtu nuk ka asgjë të keqe, por për dallim nga koalicioni i tyre, koalicioni mes PDSH-së dhe LSDM  do të jetë vetëm për zgjedhjet lokale, vështirë se do të kenë platformë të përbashkët politike, kjo do të jetë vetëm për zgjedhjet lokale”, thotë Arsovski.

Para se PDSH të shprehet pro një marrëveshjeje parazgjedhore me LSDM, në media u paraqitën informacione të paverifikuara se VMRO-DPMNE dhe BDI planifikojnë një koalicion të tillë për disa komuna të rëndësishme, sipas së cilës BDI do të përkrahte kandidatin e VMRO-së në Shkup, Resnjë, Prilep e Veles, ndërsa VMRO-DPMNE atë të BDI-së në Kërçovë e cila për herë të parë në historinë e pasluftës së dytë botërore pritet të ketë kryetar shqiptar, në Strugë, ku gara do të jetë shumë e fortë, në Gostivar dhe Tetovë./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button