Hapet ambasada e Kosovës në Abu Dhabi

Me anë të një ceremonie zyrtare sot është bërë hapja zyrtare e ambasadës së Republikës së Kosovës në kryeqytetin e Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA), Abu Dhabi, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një komunikatë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës (MPJ) thuhet se hapja zyrtare u bë me praninë e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, zëvendëskryeministrit të Parë dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, si dhe të përfaqësuesve nga qeveria e EBA-së.

Më tej është bërë e ditur se ambasada e Republikës së Kosovës në Abu Dhabi, është e para në shtetet e Gjirit.

“Emiratet e Bashkuara ishin shteti i parë arab që e njohu Kosovën, shtet që mori pjesë në aksionin e post konfliktit në Kosovë, për një kohë ishte pjesë e KFOR-it. Emiratet e Bashkuara ndërtuan infrastrukturën aeroportuale në Kukës për të iu dalë në ndihmë të dëbuarve nga Kosova. Emiratet e Bashkuara kanë ndihmuar dhe vazhdojnë të ndihmojnë Kosovën edhe ekonomikisht, duke ndërtuar shkolla, spitale dhe duke renovuar edhe objektet e kultit”, ka deklaruar kryediplomati kosovar, Pacolli.

MPJ po ashtu njofton se Republika e Kosovës do të vazhdojë me hapjen e Ambasadave dhe zgjerimin e rrjetit të përfaqësimit diplomatik të Kosovës edhe në shtete të tjera.

Kujtojmë se EBA ka njohur pavarësinë e Kosovës në muajin tetor të vitit 2008.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button