Kosova hap konsullatë edhe në Stamboll

Ministria e Punëve të Jashtme po përgatitet për hapjen e Konsullatës së Përgjithshme në Stamboll.

Tashmë ekziston pajtueshmëria ndërmjet MPJ-së dhe institucioneve të tjera kompetente që merren me politikë të jashtme që kjo konsullatë të hapet në një të ardhme të afërt, duke pasur parasysh rëndësinë politike, ekonomike si dhe numrin e madh të qytetarëve nga Kosova të cilët jetojnë në këtë qytet.

Artan Behrami, këshilltar për medie i ministrit Hoxhaj, ka thënë se hapja e konsullatave të përgjithshme të Kosovës në Strasburg, Gjenevë dhe Stamboll, janë pjesë e angazhimeve të MPJ-së për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, fuqizimin e raporteve dhe shkëmbimeve me vendet ku ato do të hapen dhe në shërbim të rritjes së efikasitetit të ofrimit të shërbimeve për qytetarët e Kosovës në diasporë.

Në këtë kuadër, Behrami tha se MPJ në koordinim të plotë me presidenten dhe institucionet tjera kompetente, po bën të gjitha përgatitjet për hapjen dhe për krijimin e kushteve për funksionimin e suksesshëm të Konsullatës së Përgjithshme në Stamboll.

“Hapja e Konsullatës së Përgjithshme në Stamboll pritet të ketë impakt të rëndësishëm në fuqizimin e mëtutjeshëm të marrëdhënieve bilaterale me shtetin mik, Turqinë, me autoritetet e Stambollit dhe përfaqësuesit diplomatikë e konsullorë të vendeve të tjera që janë të vendosur në këtë qytet, si dhe do të krijojë mundësi për kryerjen e shërbimeve konsullore nga qytetarët e shumtë të Kosovës të cilët jetojnë dhe veprojnë në Stamboll”, tha Behrami.

Lajme të ngjashme

Back to top button