Reportazh nga Prespa: mërgimtarët ia “ndërrojnë” fytyrën Prespës (FOTO)

Edhe këtë vit jetën dhe gjallërinë në Prespë e kthyen mërgimtarët e shumtë, që për çdo verë me mijëra prej tyre vërshojnë Prespën e vetmuar, dhe të zbrazët.

Prespa, tani një shekull pasi filloi traditën e hidhët të kurbetit, ka ndryshuar tërësisht pamjen e vet, bijtë e saj që e lanë, nuk e harruan kurrë, por gjithmonë herët a vonë, u kthyen për t’ia larë borxhin, duke ndërtuar shtëpi, me qëllim që një ditë, kurdo që të jetë ajo ditë të kthehen aty, dhe të kalojnë jetën.

 Ekipi i Portalb.mk vizitoi Prespën dhe ishte dëshmitar i investimeve milionëshe që mërgimtarët prespanë nga të katër anët e botës kanë bërë në Prespë.

Shtëpi të reja, objektet afariste, hotele, pishina të shumta, plazhe të stërmbushura janë vetëm disa shembuj që tregojnë qartë se mërgimtarët nuk vijnë më vetëm për pushime, por se kanë vendosur të investojnë dhe ta lëvizin ekonominë prespane.

Në Prespë vizituam dy fshatrat më të mëdha , fshatrat Gërçarë dhe Kranjë. Përcaktimi ynë nuk ishte i rastësishëm pasi që vetëm prej këtyre dy fshatrave  janë larguar afro  4.000 shqiptarë. 
Njëri prej tyre është Abazi,  të cilin e takuam duke e ujitur barin në oborrin e shtëpisë së tij të madhe. Abazi thotë se gati çdo vit vjen në Kranjë dhe ri 2-3 muaj për të pushuar në vendlindje dhe për të parë miqtë e tij.

“Që në moshën 14 vjeçare kam shkuar në Kenetiket të Amerikës. Jam martuar në Kranjë dhe me gruan vazhduam jetën në Amerikë ku ajo lindi dy djem. Që t’i ruajmë traditat dhe kulturën shqiptare unë dhe bashkëshortja u flisnim shqip fëmijëve që ta mësojnë shqipen. Ne presparët i ruajmë traditat dhe kulturën shqiptare. Më pas kur mbushën 5 vjet i dërgova në Çair të Shkupi që të rriten me shqiptarë dhe të mësojnë shkollë në gjuhën shqipe. U martuan në Çair dhe tani u kthyen të jetojnë në Amerikë”, tha Abazi.

Ai theksoi se ka ca shqiptarë që kur shkojnë jashtë vendit amë e harrojnë fare gjuhën shqipe. Mund të them lirisht se shumica janë nga Kosova. Fëmijëve u flasin anglisht dhe pastaj fëmija nuk e di shqipen. Mua më vjen shumë keq për ata, ne shqiptarët duhet t’i ruajmë traditat dhe kulturën shqiptare, dëshmon një pjesë të jetës në kurbet Abazi. 

Në Gërçarë takuam Rasimin,  i cili ishte i lumtur që arriti ta mbaj betimin që i kishte dhënë familjes dhe vetes, të kthehej në vendlindje. Rasimi erdhi pas 40 viteve që jeton dhe punon në Australi. Ai vendosi me gruan dhe dy vajzat të vijë në vendlindje sepse e kishte marr malli për pushime. Siç tha për Portalb.mk e kishte marr malli për shumë gjera në vendin e lindjes. 

“Tani pasi vajzat kryen shkollën dhe morën pushime vendosa t’i sjell ca javë këtu për ta shikuar vendin tim të lindjes të cilin se kishin parë kurrë. Unë jam shumë i kënaqur që erdha të shihem me fiset dhe miqtë me të cilët nuk isha parë një periudhë shumë të gjatë kohore. Ishim edhe në Shqipëri në Vlorë ku më pëlqeu shumë Vlora. Kur shkuam në hotel nuk më interesonte se sa kushtonte por vetëm desha ta kemi pamjen në det se më kishte marr malli për bregdetin shqiptar”, shpreher Rasimi.

“Përveç në Prespë dhe Vlorë shkuam edhe në Strugë. Një qytet shumë i bukur me lumin e tij Drinin e Zi, vajzave shumë u ka pëlqyer  dhe kishin dëshirë që të rinë akoma, mirëpo jemi të kufizuar me kohën sepse pas 1 javë duhet të shkojmë në Nju Jork dhe Detroit të Amerikë për të vizituar vëllain tim ku do të rimë 3 jave” thotë Rasimi. 

Në pyetjen a do të vini sërish në Prespë ai tha se doemos do vijmë dhe do të rimë më gjatë se kësaj radhe sepse na ka pëlqyer të gjithëve shumë, por nuk e di se kur më saktë.   

Ajo që vërehet dhe të bie në sy në shikim të parë në këto dy fshatra, por edhe anë e kënd Prespës janë shtëpitë e mëdha dhe moderne, investimet milionëshe që këta mërgimtarë i bëjnë në vendlindje, dhe me këtë dëshmojnë se nuk kanë ndërmend të braktisin vendlindjen e tyre./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button