RDK: BDI të pyet popullin a është i kënaqur me to?

RDK-ja e Rufi Osmanit porosit funksionarët e BDI-së që në vend të vetëmashtrimit dhe krijimit të iluzionit të vetëkënaqësisë nga pushteti dhe privilegjet personale që burojnë nga keqpërdorimet e pozitave zyrtare ta kthejnë arsyen e shendosh te veprimit politik dhe të punojnë në dobi të popullit duke i ofruar të mira publike në emër të mandatit publik që ua dha populli.

“Refreni i përsëritur i konkluzioneve nga takimet e KP të BDI-së së gjithçka po rrjedhë si ujë, edhe njëherë vërteton se BDI-ja duke u marrë me veten harron popullin i cili ua dha votën për zgjidhjen e problemeve të shumta dhe jo tejkalimin e problemeve personale dhe familjareve të një grushti anëtarësh të BDI-së të instaluar tashmë një dekadë në pushtetin komunal dhe qendror” shkruhet në reagimin e RDK-së.

Më tej kjo parti ka pyetur dhe kërkuar nga BDI të jep përgjigje para qytetarëve si mund të jetë e kënaqur nga rezultatet e funksionarëve në nivel të pushtetit lokal, në kohë kur qytetarët shqiptarë të cilët jetojnë në komuna me shumicë shqiptare edhe më tej  ballafaqohen me probleme elementare komunale.

“Te këto komuna që udhëhiqen nga zyrtar të BDI mungon energjia elektrike, mungon furnizimi me ujë të pijshëm, mungojnë investimet kapitale në infrastrukturën rrugore dhe kanalizime, mbizotëron kaosi urbanistik me Çairin si kampion, arsimi fillor dhe i mesëm është pa kushte elementare për mësim, shkollat shqipe janë me emra maqedonas dhe shumica e komunave që udhëhiqen nga BDI me xhirollogari të bllokuara. Rikujtojmë opinionin publik se drejtuesit e BDI-së në komunat me shumicë shqiptare shkatërruan dhe uzurpuan çdo pëllëmbë toke të gjelbër duke keqpërdorë maksimalisht ligjin për legalizim të objekteve jolegale me ndërtimin e ndërtesave gjigande pa plotësimin e kushteve më minimale urbanistike pa mbajtur kurfarë përgjegjësie ligjore dhe humane për shkatërimin e ambinetit ekologjik me pasoja të rënda për gjeneratat aktuale dhe të ardhëshme” shkruhet në reagimin e RDK-së.

Për RDK, është për tu habitur se si partia e Ahmetit nuk kërkon llogari për zvogëlimin e mjeteve për arsimin fillor dhe të mesëm dhe për uljen e mjeteve nga TVSH për komunat që në kundërshtim me ligjet në fuqi e bënë ministri i financave Stavreski , nuk kërkon përgjegjësi për mosrespektimin e ligjit për zhvillimin rajonal dhe mos alokimin e mjeteve ne nivel te 1% të PBB me çka janë humbur çdo vit mbi 10 milion euro investime kapitale në komunat shqiptare. 

“Ministrat e kësaj partie dhe kryetarët e komunave të BDI kanë përgjegjësi politike për dështimin e plotë të komunave dhe të ministrisë për pushtet lokal në dështimin e tyre në shfrytëzimin e IPA fondeve dhe humbjen e disa miliona euro nga mjetet e ndara nga Banka Europina për rindërtim dhe zhvillim, KHW banka, Banka Boterore dhe instititucione dhe fonde të tjera të huaja” shkruhet në reagimin e RDK-së.

RDK thotë se është koha e fundit BDi-ja, në vend se shet iluzione dhe vetëmashtrime për të “arriturat e mëdha” nga puna e funksionareve të saj të fillojë të punojë për zgjidhjen e problemeve konkrete dhe të shumta me të cilat ballafaqohen shqiptarët. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button