Bashkim i opozitës apo përçarje e mëtejshme?

Opozita maqedonase po i bashkon dhe konsolidon forcat me qëllim që ti jepet goditja përfundimtare VMRO-së së Gruevskit dhe politikës së saj izoluese. Gjatë formalizimit të bashkëpunimit mes Cërvenkovskit dhe Georgievskit, nga të dy pati thirrje publike për partitë opozitare shqiptare që ti bashkangjiten këtij koalicioni.

“Ne ende jemi të ndarë si parti politike, ende nuk janë krijuar kushte për krijimin e koalicioneve të proveniencave të ndryshme politike të partive maqedonase dhe shqiptare” – kështu mendon Izet Zeqiri, deputet i RDK-së.

Ai këtë e arsyeton me prioritetet e ndryshme të partive politike shqiptare, prej atyre maqedonase.

“Mendoj se kemi qëllime të ndara. Qëllimi i RDK-së është arritja e barabarësisë të plotë të shqiptarëve në Maqedoni dhe krijimi i shtetit të barabartë, dy çështje për të cilat nuk do të arrijmë konsensus me partitë politike maqedonase. Intenca e tyre është të rrëzojnë qeverinë e Gruevskit, mirëpo ata nuk kanë gatishmëri të pranojnë që Maqedonia të jetë shtet i maqedonasve dhe i shqiptarëve, ku shqiptarët duhet të jenë të barabartë në të gjitha sferat e jetës, si në ato politike ashtu edhe ekonomike” – thotë Zeqiri.

Ndërsa për krijimin e një blloku të tillë edhe në opozitën shqiptare, ku do të bënin pjesë të gjithë partitë shqiptare, nga RDK akuzojnë partinë e Menduh Thaçit se pamundëson një gjë të tillë, por paralajmëruan formalizimin e bashkëpunimit me DR dhe BDSH.

“Janë duke funksionuar grupet e punës mes RDK-së, BDSH-së dhe DR-së. Ata kanë mbajtë disa takime, dhe kemi përcaktuar prioritete rreth të cilave mund të shihet bashkëpunimi eventual. Analizojmë disa modalitete, nga koalicionimi duke e ruajtur autonominë çdo parti, deri te fuzionimi eventual” – tha Zeqiri.

Ndërsa zëdhënësi i kësaj partie, Artan Dika, mendon se Menduh Thaçi me një politikë të tillë përçarëse ndihmon BDI-në që të mbetet në pushtet.

“Rezultati në zgjedhjet e fundit tregoi se opozita e bashkuar ka më shumë vota se BDI dhe mund ta mund BDI-në. Ky rezultat tregoi se ne kemi nevojë për votat e PDSH-së dhe PDSH ka nevojë për votat tona. Çdo veprim i kundërt është çuarje ujë në mullirin e BDI-së. Këtë aktualisht po bën Menduh Thaçi, i cili duket se ka një marrëveshje të heshtur me Ali Ahmetin, që Ahmeti të jetë “i pari në qytet” e Menduhi të kënaqet me të qenit “i pari në katund”. Është e qartë se Menduh Thaçit nuk i intereson fitorja, as PDSH-ja e as rrëzimi i BDI-së, por mbijetesa e tij personale në skenën politike. Synimi për ta fituar BDI-në është arsyeja që dera për PDSH-në është gjithmonë e hapur, duke ‘harruar’ të gjithë aspektet negative të Menduh Thaçit”- tha Dika për Portalb.

Nga PDSH nuk dëshirojnë të komentojnë lëvizjet e tilla si në bllokun politik maqedonas ashtu edhe në atë shqiptar. Edhe Imer Aliu edhe zëdhënësi Agon Ferati u përmbajtën nga komenti.
Gjithashtu edhe BDI nuk ka ndonjë qëndrim më të zhvilluar rreth kësaj çështjeje.

“Koalicionimet janë e drejtë demokratike e partive politike në luftën e tyre për pushtet” – deklaroi zëdhënësi i partisë në pushtet, Bujar Osmani.

Në pritje të formalizimit të strukturave të reja të paralajmëruara në bllokun politik shqiptar, partitë theksojnë se nuk do të kishin komentuar pa u njoftuar me programin dhe njerëzit që përbëjnë këto struktura.

“Ne ende nuk kemi informacione se çfarë grupimi politik do të jetë, cili do të jetë programi i tyre, kështu që deri sa nuk kemi asnjë informatë ne nuk mund të japim ndonjë prononcim” – tha deputeti i RDK-së Izet Zeqiri, përderisa zëdhënësi i BDI-së deklaroi se edhe formimi i partive të reja është e drejtë demokratike të cilën BDI nuk e konteston.

Lajme të ngjashme

Back to top button