Borissov: Bullgaria nuk ka hezituar ta njoh Kosovën

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli, në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Bullgari, është pritur nga homologu i tij, kryeministri i Republikës së Bullgarisë, Boyko Borissov.

Në takim është diskutuar për marrëdhëniet ndërshtetërore mes Kosovës dhe Bullgarisë, për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve dhe për perspektivën evropiane të Kosovës dhe të rajonit.

Kryeministri Thaçi vlerësoi lartë bashkëpunimin e deritanishëm mes shtetit të Kosovës dhe shtetit të Bullgarisë dhe falënderoi kryeministrin bullgar për njohjen që Sofja zyrtare i ka bërë shtetit të Kosovës.

Gjatë takimit, kryeministri Thaçi kërkoi mbështetjen e Qeverisë së Bullgarisë për anëtarësimin e Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe në UNESCO. Ai po ashtu ritheksoi ftesën e tij dhe të qeverisë që drejton për të gjitha bizneset bullgare për të ardhur për të investuar në Kosovë.

Nga ana e tij, kryeministri bullgar Borissov, theksoi se Bullgaria ka qenë ndër shtetet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe për këtë njohje ka pasur konsensus të lartë të të gjithë spektrit politik dhe institucional. Ai tha se Bullgaria mbështetë perspektivën europiane të Kosovës dhe shtoi se në rrugën e Kosovës për në BE, Bullgaria është e gatshme që ta mbështesë Kosovën me përvojat e saj në këtë proces.

Borissov theksoi se Qeveria e Bullgarisë është e përkushtuar për forcimin e paqes dhe të stabilitetit në rajon, duke inkurajuar forcimin e bashkëpunimit rajonal. Në këtë aspekt, ai mbështeti përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për dialogun për çështjet teknike me Serbinë.

Në këtë kontekst, kryeministri Borissov inkurajoi kryeministrin Thaçi dhe Qeverinë e Kosovës për të vazhduar në këtë frymë evropiane, duke theksuar se paqja dhe stabiliteti mund të arrihen vetëm ndërmjet dialogut, ndërsa marrëveshjet e arritura mes Kosovës dhe Serbisë duhet që sa më shpejtë të implementohen. /Telegrafi/

Lajme të ngjashme

Back to top button