RTVM buletin i partisë në pushtet

Diskutim i ashpër rreth Raportit vjetor për punën financiare të RTVM sot në Kuvend. Opozita akuzoi për njëanshmëri totale të Radio Televizionit Maqedonas, që duhet të jetë servis publik në të mirë të të gjithë qytetarëve, e jo buletin politik i partisë në pushtet.

Raportin para deputetëve e prezantoi kryetari i këshillit të RTVM, Sllobodan Çashule, nga i cili u kërkua përgjegjësi profesionale e politike për punën e RTVM-së. 

“Kur të ndërrohet Qeveria, e kjo do të ndodhë shpejtë, do të përgjigjeni për krimin që po bëhet në RTVM, si bashkëpjesëmarrës në krim” – iu drejtua Çashules deputeti Dragisha Miletiç.

Deputeti Safet Bishevac gjithashtu akuzoi për njëanshmëri në informim të televizionit publik, dhe u bëri thirrje ish kolegëve të tij gazetarë në TVM të mos bëhen pjesëmarrës në punën e tillë të TVM-së.

“MRTV është gjithçka përveç asaj që duhet të jetë. Ju nuk jeni asgjë tjetër përveç pjesëmarrës në krim” – tha Bishevac.

Këtyre akuzave iu përgjigj partia në pushtet përmes deputetit Vlladimir Gjorçev, i cili tha se RTVM ndoshta nuk është si televizionet publike të disa shteteve në rajon, por sipas tij për këtë më së shumti fajtor është pikërisht LSDM.

“MRTV në kohën tuaj është dukur si ndonjë televizion Çeçen.  Deri para se të vjen LSDM në pushtet, para vitit 2002, TVM kishte shikueshmëri prej 33%, për të pësuar rënie deri në 6% gjatë udhëheqjes së Gordana Stoshiç” – akuzoi Gjorçev kolegët e tij nga LSDM.

Edhe ekspertët kanë kritikuar financimin e dyfishtë të RTVM-së, edhe nga taksat e qytetarëve, edhe nga reklamat.

Sipas tyre, Radio Televizioni i Maqedonisë do të jetë në pozitë më të favorshme në raport me mediat tjera për shkak se jo vetëm që do të fitojë para nga shteti dhe qytetarët, por do të mund të emeton edhe reklama. 

Profesoresha Vesna Shopar thotë se rritja e taksës radio difuzive është e nevojshme që të mund servisi publik të funksionon, por rritja e përqindjes së reklamimit është e qartë se do të ndikon ndaj televizioneve private sepse atë e kanë burim të vetëm të financave.

“Kështu ato në një farë mënyre vendosen në një pozitë të jobarabartë mes vete dhe kjo e prish balansin e tregut medial, gjë që është shumë me rëndësi” ka thënë Shopar për REL. / Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button