Vendoset metodologji për pastrimin e listës zgjedhore

Është vendosur metodologjia sipas së cilës do të pastrohet Lista e stërmbushur zgjedhore e cila sipas vërejtjeve të OSBE/ODIHR  ende përmban të vdekur dhe të mitur.

Sipas informatave të Sekretariatit për Çështje Evropiane, zv/kryeministrja për çështje evropiane Teuta Arifi ka kryesuar me takimin e tretë të Komitetit Drejtues për reformat zgjedhore në të cilin janë prezantuar aktivitetet e deritanishme të dy grupeve punuese të cilat punojnë për ndryshimin e legjislacionit zgjedhor dhe për kontrollim të Listës zgjedhore.

“Grupi i punës për kontrollim të Listës zgjedhore ka vendosur metodologjinë sipas të cilës institucionet kompetente në mënyrë të rregullt po bëjnë kontrollimin e të dhënave të Listës zgjedhore, sipas rekomandimeve të Raportit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2011” thuhet në komunikatën e SÇE.

Nga kabineti i Arifit informojnë se janë mbajtur gjashtë takime të grupit të punës, në të cilat janë shqyrtuar propozimet konkrete për ndryshim dhe plotësim të dispozitave të Kodit Zgjedhor dhe Ligjit për financim të partive politike. 

“Propozimet përfundimtare për ndryshim të legjislacionit zgjedhor do të prezantohen në debatet publike, me qëllim që të sigurohet konsensus dhe transparencë më e lartë në proces”  thuhet në komunikatën e SÇE.

Komiteti Drejtues për Reformat Zgjedhore u formua me qëllim të adresimit të rekomandimeve nga OSBE/ODIHR në drejtim të përmirësimit të procesit zgjedhor, ndërsa në të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve relevante shtetërore, sektori joqeveritar dhe bashkësia ndërkombëtare.

Vite me radhë secila parti që vjen në pushtet akuzon njëra-tjetrën për mos pastrimin e Listës zgjedhore dhe se në këtë mënyrë manipulohet me votat. Ndërkaq edhe OSBE/ODIHR në secilin raport të saj për zgjedhjet parlamentare apo lokale në vend thekson nevojën për kontrollimin e të dhënave të Listës zgjedhore. /portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button