Kush duhet të financojë shënimin e 100 vjetorit?

Kush duhet të financojë evenimentet që kanë të bëjnë me shënimin e 100 vjetorit të shtetësisë shqiptare në Maqedoni? Dilema sa vazhdon aq edhe rritet, ndërsa institucionet ia hedhin fajin njëra-tjetrës. Pasi që programi për shënimin e jubileut më të ndritur shqiptar, u arrit me marëveshje politike mes BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së, ajo u miratua nga Parlamenti vetëm në mars të këtij viti, ndërkohë që ishin mbyllur të gjitha konkurset për të financuar këto evenimente që sipas ligjit bëhen në vitin paraprak. Marrëveshja për shënimin u bë, tani duhet edhe një marrëveshje se si do të financohen këto evenimente.

Kjo lloj situate u paraqit para pak ditësh mes Institutit për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni dhe Ministrisë së kulturës. Instituti kërkoi para, ndërsa ministria refuzoi, ndërkaq përfaqësuesi shqiptar në ministrinë e kulturës për Portalb, sqaron situatën.

Nuk është e vërtetë se Ministria e kulturës nuk financon projekte që kanë të bëjnë me popullin shqiptar dhe kulturën shqiptare, dhe për 100 vjetorin e flamurit, thotë sekretari shtetëror në Ministrinë e Kulturës, Muzafer Bislimi, duke u sqaruar vendimin e Ministrisë me të cilin ajo refuzoi që të financojë Akademinë solemne  të cilën Instituti për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni e organizon më 28 nëntor, për nder të njëqind vjetorit të shtetit shqiptar.

‘Nuk e di arsyen se pse janë drejtuar  tek ne që ta financojmë këtë manifestim, kur nuk janë institucion që është themeluar nga ministria e Kulturës, ndërsa themelues i këtij dhe të gjitha Instituteve tjera në Maqedoni është Ministria e arsimit, dhe pikërisht aty ata duhet të konkurrojnë me projekte dhe të financohen’, thotë Bislimi.

Bislimi thotë se Instituti nuk ka konkurruar me këtë projekt gjatë afatit të rregullt të konkurrimeve nga 1 qershori deri 1 shtator, kur mblidhen të gjitha kërkesat në shqyrtim.

‘Ky institut asnjëherë nuk ka konkurruar me projekte në konkurse që janë të rregullta në Ministrinë e Kulturës që mbahen çdo vit nga 1 qershori deri në shtator dhe as me projektin  Akademi përkujtimore për nder të 100 vjetorit të ditës së flamurit’ thotë Bislimi. 

Reagimi në media vjen pas bërjes publike të përgjigjes së ministrisë së kulturës se ajo nuk mund ta financojë mbajtjen e Akademisë solemne me rastin e 28 nëntorit, ditës së flamurit. 

‘Ju njoftojmë se meqë mjetet buxhetore për realizimin e programit vjetor për zbatimin e interesit kombëtar në kulturë për vitin 2012 janë shpërndarë në bazë të procedurës të parashikuar me ligj, Ju njoftojmë se nuk jemi në gjendje ta mbështesim financiarisht manifestimin e ‘100 vjetorit të flamurit shqiptar’, thuhej në përgjigjen me shkrim që ministria e Kulturës i dërgoi Institutit.

Datat dh ngjarjet që do të shënohen lidhur me 10 vjetorin e shtetit shqiptar Kuvendi i miratoi në muajin mars si pjesë e Programit për shënimin e përvjetorëve dhe personaliteteve të rëndësishme për vitin 2012. 

Nga Instituti për Trashëgimi Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoni  thonë se ata janë punëtor shkencor dhe detyrë kanë hulumtimet, ndërsa shprehen se Akademinë me apo pa financim do ta organizojnë në mënyrën më të mirë që të munden.

Pasi që Maqedonia për herë të parë shënon data që kanë të bëjnë me krijimin e shtetit shqiptar, dhe sidomos këtë jubile të artë të 100 vjetorit, institucionet shpesh janë gjendur në situatë konfuze se kush në fakt duhet ti financojë këto evenimente.  Koordinatori për shënimin e 100 vjetorit për Maqedonisë është zëvendës kryeministri Musa Xhaferri i cili pas kthimin nga vizita zyrtare në Vjenë, pritet që të sqaroj detajet se kush duhet të financojë evenimentet që bëhen nën patronatin e tij./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button