Kosovë, temat e diplomës po shiten për 70 euro
Në faqen e shit-blerjes merrjep.com dhjetëra persona kanë vendosur shpallje, ku tregojnë se bëjnë punime diplome me pagesë.
Për çfarëdo drejtimi, e tëra që i duhet studentit është që t’ia tregojë agjencionit literaturën dhe pjesa tjetër përfundon brenda 3 javësh.
Gazetari u prezantua si një student i drejtimit të Marketingut në fakultetin Ekonomik.
Agjencioni i shpjegon atij në detaje procedurat që duhet të ndjekë.
70 euro është çmimi që duhet paguar dhe vajza që punon në agjencion tregon se ky çmim është mjaft i lirë, pasi sipas saj çmimi në Prishtinë shkon deri në 100 euro.
Në ueb-faqen merrjep, hapur dhe pa u fshehur nga Policia, Prokuroria, apo Inspektorati i Arsimit dhjetëra persona ofrojnë këtë shërbim.
Profesori i departamentit të historisë në Universitetin e Prishtinës, Gazmend Rizaj deklaron për Tribuna Channel se punimet e diplomës me pagesë nuk janë një fenomen.
“Këto praktika mund të jenë pjesë e një numri shumë të kufizuara të studentëve. Nuk e besoj që mund të jetë një fenomen për shqetësim. Të paktën për aq sa kam njohuri. Unë punoj qe disa dekada si profesor në universitetin e Prishtinës dhe diçka e tillë as nuk ka ndodhë”
Policia e Kosovës të kontaktuar nga Televizioni kanë deklaruar se ka raste kur hetojnë shkelje të tilla.
“Kur paraqiten këto raste ato i heton Policia Ekonomike. Ndonjëherë këto raste dalin se janë vetëm asistim teknik, prandaj kur janë të tilla ato nuk janë vepra penale”
Cilësia e arsimit në Kosovë shumë herë ka qenë një temë e nxehtë diskutimi. Kujtojmë që pak ditë më parë, Agjencioni kosovar i Akreditimit u përjashtua nga EQAR, regjistri evropian i sigurimit të cilësisë për arsimin e lartë.