Forinë, asfaltohet rruga, Osmani paralajmëron investime shtesë

Kryetari i komunës së Gostivarit, Rufi Osmani, i shoqëruar nga bashkëpunëtorët e tij, ndoqi nga afër punimet rreth asfaltimit të rrugës kryesore të fshatit Forinë, me ç’rast u takua dhe bashkëbisedoi me banorët e shumtë lokalë.

Me këtë rast Osmani paralajmëroi edhe investime shtesë në fshatin Forinë, ku krahas zgjerimit, riasfaltimit dhe ndërtimit të trotuarit nga njëra anë, punë këto të cilat janë në vijim e sipër, paraprakisht janë realizuar edhe shumë investime tjera kapitale.

“Në këtë ditë të nxehtë vere, kam kënaqësinë e veçantë të ndaj me ju gëzimin për realizimin e fazës përfundimtare të punëve rreth asfaltimit të rrugës kryesore të fshatit tuaj. Paraprakisht, realizuam një sërë projektesh infrastrukturore në rrjetin e kanalizimit fekal, atmosferik dhe rrjetin e ujësjellësit për gjysmën e fshatit tuaj, si dhe asfaltuam dhe shtruam me pllaka bekatoni rrugë dhe sipërfaqe të tjera publike”, u tha të shtunën banorëve të fshatit Forinë, kryetari Osmani.

Njëherit ai paralajmëroi edhe një sërë investimesh në këtë fshat në fazën e ardhshme të punimeve që do të realizohet prej muajit shtator.

“Rrugën përgjatë lumit Jahorka, do ta shtrojmë me pllaka bekatoni, do të instalojmë ndriçimin publik dhe do të vendosim pajisje urbane, që do të thotë se bregu i këtij lumi do të merr pamje të ngjashme me shëtitoren e lumit Vardar në qytet. Gjithashtu, do ta zgjerojmë edhe urën mbi Jahorkë te rruga kryesore, me çka do të zgjidhet një problem kyç i komunikacionit”, nënvizoi Osmani.

Sipas dinamikës, pritet që brenda disa ditëve të përfundojë asfaltimi i rrugës në Forinë, që në fazën e ardhshme të fillojë edhe ndërtimi i trotuarit nga njëra anë e rrugës Forinë – Çegran në gjatësi prej gati se 5 km./Portalb    

Lajme të ngjashme

Back to top button