Kujdes me Facebook-un, do të përgjoheni?

Jo vetëm komunikimet telefonike, por edhe komunikimet elektronike do të jenë lëndë e përgjimit, nëse kalon Propozim Ligji për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për përcjelljen e komunikimeve, propozuar nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Kjo do të thotë se Facebook-u juaj, Skype, Msn, Twitter e Mail do të jenë të ekspozuara para organeve shtetërore, me urdhër adekuat nga gjykata, i cili me këto ndryshime mund të merret edhe gojarisht. Gjithashtu shtohet afati i përcjelljes me urdhër gojor nga 24 në 72 orë. Pas këtij afati edhe nëse nuk vërtetohet veprimtari kriminale, askush nuk do të japë përgjegjësi.

Mirëpo, nga Drejtoria për mbrojtjen e të dhënave personale nuk shohin të ketë diçka kontestuese në lidhje me këto ndryshime.

“Për ne këto janë ndryshime adekuate dhe të përshtatshme, pasi që me këto ndryshime të dhënat personale ekspozohen vetëm në raste të interesit publik. Në këtë drejtim nuk shohim të ketë diçka spektakolare në ndryshimet e reja” – tha për Portalb Drejtori i Drejtorisë për mbrojtjen e të dhënave personale, Dimitar Georgievski.

Në debatin publik në lidhje me këtë propozim ligj, deputetja e LSDM-së Radmilla Sheqerinska tha se me këto ndryshime lihet mundësi për manipulime dhe “zona të errëta” me të cilat mundësohet mos dënimi i korrupsionit dhe krimit të organizuar.

 “Mundësitë për keqpërdorim nuk kufizohen, por pluralizohet hapësira për keqpërdorim. Prej tash ky keqpërdorim mund të bëhet nga më tepër vende, edhe atë për nevoja të masave speciale hetuese dhe tenderë” – tha Sheqerinska.

Me këtë Propozim Ligj definohen katër eprorë në institucionet përkatëse të cilët do të jenë përgjegjës për komunikim me gjyq special, si rezultat i vërejtjeve të Komisionit Evropian në Raportin për Maqedoninë, ku theksojnë se duhet të ndryshohet përfshirja e drejtpërdrejtë e Ministrit të Punëve të Brendshme në procedurën për përcjelljen e komunikimeve.

Por nga Qendra Maqedonase për Edukim Evropian thonë se me këtë masë nuk arrihet qëllimi që Ministria e pretendon.

“Thelbi i kufizimit të kompetencave të ministrit është të kufizohet faktori politik, çka nuk arrihet me delegimin e kompetencës nga ministri në eprorë, sepse eprorët kanë Ministrin si mbikëqyrës” – thotë Bojan Mariçiq nga Qendra Maqedonase për Edukim Evropian.

Ndërsa nga Instituti për Politikë Evropiane thonë se me angazhimin e eprorëve rëndë mund të gjendet përgjegjësi, sepse epror mund të jetë edhe ndonjë drejtues i ndonjë sektori për punë të përgjithshme në MPB.

Segment tjetër me këto ndryshime është elementi financiar, i cili nuk është paraparë me këtë Propozim Ligj, edhe përkundër zgjerimit të organeve që do të ndjekin komunikimet, dhe llojin e komunikimeve që do të ndiqet.

“Si mund të mos ketë implikime financiare kur kemi subjekte të reja që do të ndjekin komunikimet. A do të ketë furnizim me aparate të reja për ndjekje?” – pyet Prof. Dr. Vladimir Pivovarov, profesor në fakultetin për detektivë dhe siguri në Fon.

Këto ndryshime shqetësojnë opinionin dhe rrisin pasigurinë dhe mosbesimin e tyre në organet shtetërore.

Edhe sipas opozitës, ligji i ri për përgjim aspak nuk i respekton rekomandimet e Bashkimit Evropian, dhe nuk ka për qëllim luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit por në mënyrë shtesë do të kontribuojë që sistemi të jetë i politizuar dhe korruptiv. /Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button