Ministri Bejta: Qeveria të investojë më shumë në Komunën e Sarajit

Ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Nevzat Bejta e vizitoi Komunën e Sarajit, në vazhdën e takimeve që ai realizon me kryetarët e komunave në Maqedoni. Ministri Nevzat Bejta, i dha mbështetje të pa rezervë për realizimin e projekteve të cilat i ka filluar Komuna e Sarajit dhe të cilat janë në realizim e sipër. 

Në këtë takim u bisedua edhe për disa probleme me të cilat ballafaqohet komuna e Sarajit, për menaxhimin me liqenin e Treskës, objektin komunal, çerdhen për fëmijë dhe tema të tjera.  

“Në Komunën e Sarajit deri më tani janë investuar dhe investohen rreth 3 milion euro. Komuna e Sarajit është njëra nga Komunat më të rëndësishme të kryeqytetit dhe qeveria duhet të investojë dhe ne si ministri jemi përkrahës të projekteve të Komunës. Liqeni i Treskës është në territorin e Komunës së Sarajit dhe në bazë të ligjit që është në fuqi menaxhohet nga qyteti i Shkupit. Nëse qyteti i Shkupit nuk do të investojë, rikonstruojë dhe aktivizojë, liqenin e Treskës, atëherë Kryetari i Komunës do të kërkojë ndihmë nga MVL-ja dhe ne do të jemi të obliguar në bashkëpunim me Kryetarin e Komunës së Sarajit që ta debatojmë si çështje në qeveri dhe ajo të vendosë se si do të menaxhojë qeveria në të ardhmen”, tha ministri Bejta.

Kryetari i Komunës së Sarajit Bekim Murati, e ka informuar ministrin Bejta, për ndërtimin e objektit të ri të Komunës, çerdhen në Saraj, punimet rreth ndërtimit dhe meremetimit të disa rrugëve rajonale dhe lokale. Ai njëherësh ka kërkuar edhe mbështetje në debllokimin e problemit me menaxhimin me liqenin e Treskës.

“E informova Ministrin e Pushtetit Lokal, Nevzat Bejta për investimet që janë bërë në komunën e Sarajit përmes Qeverisë dhe Byrosë për Zhvillim Rajonal. Ne jemi të kënaqur sa i përket bashkëpunimit me MVL-në, ku deri më tani janë realizuar shumë projekte duke filluar nga viti 2009. Një ndër çështjet të cilën ja prezantova ministrit është, ndërtimi i objektit të komunës, pasi që një periudhë të gjatë ne jemi qiraxhi dhe nuk kemi objektin e komunës sonë, ku për këtë çështje mora garancë nga MTL-ja”, tha Bekim Murati, kryetar i Komunës së Sarajit./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button