Komisioni për mbrojtje nga diskriminimi mbetet nën hije të politikës

Analiza e punës së Komisionit për mbrojte nga diskriminimi (KMD) në vitin e parë nga ekzistimi i tij tregon se ky organ nuk funksionon si i pavarur nga shteti dhe se influenca qeveritare ndikon në profesionalizmin e tij. Përpos kësaj KMD përballet edhe me probleme të natyrës teknike.

Kështu u shpreh Mirjana Najçevska nga Instituti për hulumtime juridike, sociologjike dhe politike e gjatë prezantimit të raportit “Raporti në hije për komision në hije”  në të cilin autorët kanë analizuar punën e Komisionit për mbrojte nga diskriminimi në vitin e parë nga ekzistimi i tij.

“Nëse dikush dëshiron të lajmërojë diskriminim nga institucionet shtetërore përballet me probleme. Në këtë komision punojnë nëpunës shtetëror që janë të lidhura me partinë politike në pushtet. Problem është dhe se opinioni nuk është i informuar për ekzistimin e Komisionit. Nuk ka tabelë para hyrjes së Komisionit, në një anketë në pyetjen Di ta gjej Komisionin? me Po janë përgjigjur 10.4 për qind, Jo 75.0 për qind, ndërsa ato që nuk kanë dëgjuar për komision të tillë janë 14.7 % . Më tej ka mungesë të qëndrimit për ngjarje të rëndësishme, mungesa e analizave dhe rekomandimeve lidhur me diskriminimin, çdo herë kur ka ndonjë rast bëhen apele në vend se të bëhen kërkesa, nuk ka kritika të organeve shtetërore, nuk ka debate, monitoring, dhe mbledhje të të dhënave” tha Najçevska.

Ajo theksoi se qasshmëria në faqen e internetit është vetëm në gjuhën maqedonase dhe se vetëm dy dokumente janë në gjuhën shqipe. 

Ndërkaq nga ana tjetër kryetari i KMD Dushko Minovski mes tjerash tha se ky raport definitivisht do t’i shërbejë Komisionit. 

“Pozitive është se për një vjet ne arritën homogjenitet. Mirëpo, në të vërtetë ka edhe disa mangësi që duhet në të ardhmen të përmirësohen, gjithashtu duhet një organ profesional administrativ dhe person i cili do të angazhohet për azhurnimin e faqes së internetit”, tha Dushko Minovski. 

“Raporti në hije për komision në hije” është botimi i tretë nga edicioni Zbatimi i ligjeve nën shqyrtim të Fondacionit “Shoqëri e hapur – Maqedoni” (FSHH). Në të janë theksuar drejtimet e mundshme në punimin e mëtejmë të Komisionit dhe mënyra se si të arrihet përparim në realizimin e mandatit të tij ligjor. /Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button