Thaçi: Vendimi i FIFA-s afirmon shtetin e Kosovës

Kryeministri Hashim Thaçi dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, kanë përshëndetur vendimin e Federatës Ndërkombëtare të Futbollit (FIFA), me anë të të cilit i lejohet kombëtares së Kosovës të zhvillojë lojë miqësore ndërkombëtare.

“Vendimi i FIFA-s që të lejojë kombëtaren e Kosovës në futboll të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare, është një hap i madh dhe i rëndësishëm për Republikën e Kosovës në arenën ndërkombëtare, që do të ndihmojë që shteti ynë i ri të njihet edhe më shumë dhe të tregojë vlerat e veta”, thuhet në një deklaratë të kryeministrit Thaçi.

“Gjatë gjithë këtyre viteve, futbollistët kosovarë kanë treguar kualitete të larta të lojës si pjesë e kombëtareve dhe e klubeve të ndryshme botërore. Tani, ky vendim do t’iu mundësojë atyre që të mbrojnë ngjyrat e shtetit të Kosovës dhe të afirmojnë sportin kosovar, duke ndihmuar kështu diplomacinë kosovare në prezantimin e denjë të Republikës së Kosovës në botë”, ka vlerësuar ndër të tjera kryeministri Thaçi.

FIFA të hënën ua ka mundësuar 208 vendeve anëtare që të luajnë ndeshje miqësore futbolli me Kosovën.

Ky vendim, sipas ministrit Krasniqi, është një nga lajmet më të rëndësishme që ka marrë Kosova në tërë këto vite. “Më në fund përpjekjet e shumë njerëzve që kanë punuar pareshtur, për të ecur suksesshëm drejt ndërkombëtarizimit të sportit, po kurorëzohen me sukses. Padyshim ky moment është një pikë kthese për futbollin, sportin në përgjithësi por edhe në tërësi për shtetin. Me këtë vendim sot ne po ecim suksesshëm drejt afirmimit të shtetit dhe prezantimit të vlerave tona”.

Krasniqi ka thënë se vlerësim të lartë për këtë arritje meritojnë të gjitha institucionet shtetërorë të Kosovës dhe veçanërisht Federata e Futbollit të Kosovës, në krye me udhëheqësin e saj, ish-futbollistin Fadil Vokrri.

“Unë besoj fuqishëm se ne shumë shpejt do të jemi edhe anëtar i barabartë i FIFA-s, UEFA-s dhe i gjithë federatave tjera globale dhe kontinentale. Unë do të vazhdoj të punoj shumë në këtë drejtim dhe i inkurajoj edhe drejtuesit e sporteve në Kosovë që shtojnë përpjekjet e tyre. Siç e kam thënë në shumë raste, ne duhet që të fokusohemi tashmë në planin e brendshëm në zhvillim të garave, avancim të cilësisë dhe në respekt ndaj lojës fer”. /Telegrafi

Lajme të ngjashme

Back to top button