Kosovë, vazhdon seanca kuvendore mbi deportimin e 6 shtetasve turq

 Kuvendi i Republikës së Kosovës me kërkesë të 40 deputetëve pasditën e sotme mbajti një seancë të jashtëzakonshme, ku në rend të ditës ishte debati parlamentar lidhur me rastin e deportimit të gjashtë shtetasve të turq, pjesëtarë të FETO/PDY-së, nga Kosova në Turqi, raporton Anadolu Agency (AA).

Gjatë kësaj seance deputetë të shumtë të Kuvendit të Kosovës kërkuan të njoftohen nga qeveria lidhur me procedurat e deportimit të gjashtë shtetasve turq, si dhe kritikuan rastin në fjalë, sepse sipas tyre, nuk janë respektuar procedurat ligjore.

Gjatë kësaj seance, ministri i Administratës Publike dhe kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Mahir Yağcılar, tha se nëse janë të vërteta pretendimet e mediumeve të ndryshme për të deportuarit në lidhje me evazionin fiskal prej 60 milionë eurosh, si dhe të aktiviteve rënuese të administratës shtetërore atëherë, agjencia e intelegjencës kosovare ka vepruar në përputhje me ligjin dhe kushtetutën.

– Yağcılar: Duhet të falënderojmë shtetin turk për përkrahjen pa rezervë për Kosovën

Duke bërë të ditur se Ministria e Administratës Publike, që drejtohet nga ai, disa vite sipas kërkesës së agjencisë së intelegjencës dhe policisë realizon pezullimin e mbi 20 organizatave joqeveritare të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, Yağcılar tha se “as unë nuk i di detajet, as zyrtarët e mi nuk i dinë, sepse zbatojmë rregulloren në fuqi dhe vlerësimin e rrezikshmërisë së këtyre organizatave joqeveritare për stabilitetin e shtetit të Kosovës”.

“Mendoj se shteti i Kosovës është partner i shtetit të Turqisë dhe anasjelltas. Duhet të mbajmë raporte të mira, të falënderojmë shtetin turk për përkrahjen pa rezervë për Kosovën. Në këtë aspekt duhet sa më shpejtë të kemi fakte dhe të vërtetën për të vazhduar. Besojmë në një gjykim të drejtë edhe në Turqi për këta qytetarë të Turqisë”, theksoi Yağcılar.

“Ne si komunitet turk jemi për marrëdhënie të mira me Republikën e Turqisë në këtë rast jemi duke e përkrahur Turqinë dhe presidentin Erdoğan për përkrahjen e parezervë në këto 16 vite të fundit, pa dallim, për të gjithë qytetarët e Kosovës dhe të gjitha qeveritë e Kosovës, prej vitit 2002 kur ka ardhur në pushtet”, u shpreh Yağcılar.

– Tahiri: Vitin e kaluar nga Kosova janë deportuar 344 shtetas të ndryshëm, pa vendim të gjykatës

Nga ana tjetër, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, njoftoi se vitin e kaluar 344 persona, shtetas të ndryshëm, pa vendim të gjykatës janë deportuar nga Kosova.

“Në vitin 2017 nga Republika e Kosovës janë deportuar 344 persona. Për këta persona të deportuar, përpos organeve përgjegjëse nuk është në dijeni as presidenti, as kryeministri, as ministri i Drejtësisë, as persona të tjerë, sepse është përgjegjësi e policisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme, për qëndrim të paligjshëm në Republikën e Kosovës”, tha Tahiri.

Ministri i Drejtësisë poashtu theksoi se çdo deportim, çdo transferim dhe çdo dëbim i personave ndodh në bashkëpunim midis dy shteteve, përkatësisht Kosovës dhe vendit nga vjen personi që dëbohet.

– Damka: Sipas raportit të intelegjencës kosovare dhe presidentit Thaçi, FETO element kërcënues edhe për sigurinë e Kosovës

Ndërsa, deputeti nga radhët e KDTP-së, Fikrim Damka, gjatë fjalimit në seancë zbuloi disa informacione rreth “rrjetit kriminal, i cili në opinionin e Kosovës identifikohet me termin ‘Gylenistët’”.

Duke u shprehur se kjo organizatë ka një qëllim përfundimtar, pra atë të profetizimit të një personi dhe shkatërrimit të sistemit laik të shtetit, Damka deklaroi se: “Para dhjetë viteve 732 akademikë, oficer, gazetar e politikan janë dënuar me proceset e montuara nga prokurorët dhe gjyqtarët të organizatës FETO. Organizata famëkeqe më datën 15 korrik 2016 ka bërë tentim për puç duke përdorur armët, aeroplanet, helikopterët e Forcave të Armatosura Turke. Në këtë tragjedi kanë humbur jetën 248 qytetarë të pafajshëm turk, ndërsa 2.196 persona janë plagosur. Të pandehurit e procesit kanë rëfyer përfshirjen e FETO-s në tentim për puç dhe marrjes së urdhërit nga kryeterroristi Fetullah Gylen”.

Duke folur për të deportuarit nga Kosova, Damka tha se ata nën maskën e mësimdhënësit janë marrë me veprime tjera ilegale.

“Hulumtoni mirë se me çka akuzohet mjeku i deportuar. Hulumtoni se si ka ndikuar mjeku i deportuar në proceset gjyqsore përmes hartimit të raporteve të rrejshme për të pandehurit të procesit Ergenekon. Gjithashtu ju lutem kërkoni hulumtimin e gjerë të qarkullimit vjetor prej 60 milion eurove të ashtuquajtur të ‘Shkollës së hizmetit’. Ku derdhen ato mjete… Krahasoni buxhetin e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës me këtë buxhet”, u shpreh Damka.

Duke u bazuar në raportit e agjencisë së intelegjencës kosovare, Damka tha se janë edhe disa fakte tjera lidhur me këtë organizatë si, financimi i mediave kosovare, rekurtimi i informatorëve në Ministrinë e Brendshme, Policinë e Kosovës dhe në Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK).

“Dua të theksoj që raporti i agjencisë së intelegjencës, të cilën e cilësoj si shumë të paanshëm, por duke u bazuar edhe në deklaratën e presidentit, nënkuptohet që organizata terroriste FETO jo vetëm për Turqinë, por edhe për Kosovën paraqitet si një element kërcënues për sigurinë e vendit”, tha Damka.

Debati tashmë pesë-orësh i seancës së jashtëzakonshme lidhur me rastin e deportimit të gjashtë shtetasve të turq, anëtarë të FETO-s, është duke vazhduar ende.

Kujtojmë se të enjten e javës së kaluar Agjencia Turke e Inteligjencës (MIT) realizoi një goditje të rëndë ndaj strukturës së Organizatës Terroriste FETO/Strukturës së Shtetit Paralel (FETO/PDY) në Ballkan, duke sjellë në Turqi gjashtë punonjës të nivelit të lartë të organizatës.

MIT ka kapur gjashtë pjesëtarë të FETO/PDY-së të kërkuar në Turqi përmes një operacioni që ka realizuar në bashkëpunim aktiv me inteligjencën e Kosovës. Personat Cihan Özkan, Kahraman Demirez, Hasan Hüseyin Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina janë sjellë në Turqi me një avion të posaçëm nga ana e MIT.

Pas këtij rasti deputetët nga partitë opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje dhe Grupi i Deputetëve të Pavarur kërkuan mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme për rastin e deportimit të gjashtë shtetasve të Republikës së Turqisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button