OSBE, fjalori i urrejtjes dëmton bashkëjetesën mes komuniteteve

Krimet e motivuar nga urrejtja dhe gjuha e urrejtjes ndikojnë në bashkëjetesën e komuniteteve dhe stabilitetin social, pasi ato janë manifestime të mostolerancës që kanë ndikim të thellë jo vetëm për viktimën, por edhe për grupin me të cilin identifikohet viktima, tha ambasadori i OSBE-së në Shkup Ralf Breth gjatë  Konferencës rajonale të mbështetur nga OSBE që ka filluar në Shkup me temë ‘Këmbimi i praktikave më të mira se si më mirë të trajtohen rastet e krimit të motivuar nga urrejtja dhe gjuha e urrejtjes’.

“Veprat penale të kryera me motiv të njëanshëm, si dhe të gjitha format e shprehjes të cilat përhapin, nxisin, promovojnë ose justifikojnë forma të urrejtjes racore apo të tjera në bazë të mostolerancës, kundërshtojnë drejtpërdrejt vlerat e demokracive bashkëkohore dhe përbëjnë sulm ndaj bashkëjetesës paqësore’ tha Bret.

Ne në OSBE, shtoi Bret  jemi këtu për të mbështetur këto përpjekje. 
Bashkë nikoqiri i konferencës,  zëvendës-ministri i jashtëm Zoran Petrov tha se krimet e motivuara nga urrejtja dhe pasojat e gjuhës së urrejtjes kanë preokupuar gjatë kohë autoritetet shtetërore dhe bashkësinë ndërkombëtare, përfshi edhe organizatat ndërkombëtare dhe rajonale, të tilla si OSBE. 

‘Të gjitha palët janë duke bërë përpjekje të mëdha në nivel ndërkombëtar, rajonal dhe kombëtar për të përcaktuar shkaqet e kësaj dukurie negative dhe për të identifikuar mënyrat për të eliminuar atë. Për të parandaluar krimet e urrejtjes dhe për t’i trajtuar ato në mënyrë më efikase, në vitin 2009 vendi miratoi ndryshime në Kodin Penal, të cilat prezantuan rrethana tjera rënduese, nëse vepra motivohet nga urrejtja’ tha Petrov. 

Procesi i harmonizimit të së drejtës penale në lidhje me krimin e motivuar nga urrejtja do të vazhdojë në përputhje me legjislacionin e BE-së dhe me standardet tjera ndërkombëtare deklaroi Petrov. 

Pjesëmarrësit në konferencë do të këmbejnë njohuritë lidhur me pengesat dhe sfidat në trajtimin efikas të rasteve kanë të bëjnë me krimet e motivuar nga urrejtja dhe gjuha e urrejtjes, si dhe mësimet e nxjerra, praktikat e mira dhe modelet më të mira të aplikuara në rajon.
Konferenca rajonale është iniciativë e përbashkët e misioneve të OSBE-së në rajon, e organizuar nga Misioni i OSBE-së në Shkup dhe Ministria e Jashtme./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button