”Zëri” reagon për pastërtinë e qytetit të Strugës

Lëvizja Qytetare ”Zëri” shpreh shqetësimin në lidhje me gjendjen e rënduar higjienike në qytetin e Strugës dhe njëherit konsideron se është e papranueshme që një qytet turistik të lihet në këtë gjendje. Ajo që është evidente ditëve të fundit në qytetin e Strugës, thuhet në komunikatën e kësaj lëvizje për mediat, është ndotja masive e qytetit për shkak të grevës së ndërmarrjes ‘Komunalno”. Lëvizja qytetare Zëri në bazë të propozimeve të anëtarëve dhe qytetarëve kërkon që në një afat sa më të shkurtër të zgjidhen mosmarrëveshjet ndërmjet ndërmarrjes ‘Komunalno’ dhe Komunës së Strugës dhe ti lihet rrugë pastrimit të menjëhershëm të qytetit. 

”Ndërmarrja “Komunallno” është një nga institucionet që qytetarët paguajnë vazhdimisht tatim, prandaj është e pakuptimtë që për çdo vit Strugës t’i paraqitet i njejti problem, i bëjmë apel organeve kompetente që ta hetojnë këtë rast dhe të mos lejojnë abuzime të mëtutjeshme. Parqet dhe hapësirat e tjera të gjelbëra janë lënë në gjendje të mjerueshme. Të merret aksion i menjëhershëm i rregullimit dhe kositjes së parqeve në qytet si dhe mirëmbajtjes së tyre përgjatë sezonit veror”, thuhet në vijim të prononcimit të kësaj Lëvizje.

Zëri konsideron se Struga si qytet turistik meriton të jetë e pastër. Posaçërisht në prag të sezonit turistik, ku mikpritja e turistëve të huaj në këtë gjendje paraqet turp për qytetarët struganë. ‘Zëri’ paralajmëron ndërmarrjen e aktiviteteve tjera nëse nuk zgjidhet ky problem./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button