Mospranimi i Maqedonisë në NATO, epilog i pritur

Epilogu i samitit të Çikagos ishte i definuar me agjendën fillestare  të tij dhe këtë epilog e kishin të qartë të gjithë pjesëmarrësit me përjashtim të politikbërësve të Maqedonisë të cilët me arrogancë nuk pranonin mesazhin e dhënë në vazhdimësi se kompromisi për çështjen e emrit me Greqinë është i paevitueshëm si parakusht për inkuadrimin e vendit në NATO.

Një epilog i tillë nxjerr edhe njëherë në sipërfaqe rëndësinë që NATO-ja ia përkushton vendimmarjes me konsensus nga të gjithë anëtarët e saj pavarësisht nga fuqia e tyre ushtarake, ekonomike dhe politike. Këtë mesazh të unitetit funksional të NATO-s , politika aktuale e Maqedonisë me në krye Nikolla Gruveskin, nuk donte ose nuk dinte ta kuptojë duke u udhëhequr nga parimet e politikbërjes naive ballkanike duke kërkuar që anëtarësimi i vendit në NATO të bëhej në kundërshtim  me rregullat e funksionimit  të  Aleancës së Atlantikut Verior.

Mospranimi i Maqedonisë në NATO është pasojë e politikave kryeneçe të cilat z. Gruevski i ka udhëhequr që nga viti 2006, prej kur qeveris me vendin duke filluar me politikat e antikuizimit dhe këmbënguljen e tij se çdo kompromis eventual që do të arrihej, do të duhej të merrte pëlqimin e popullit në referendum.   

Këto qëndrime jokooperuese të qeverisë Gruveski, me kohë nuk morën parasysh trendët dhe pasojat që u prodhuan nga kriza e madhe financiare dhe ekonomike e cila goditi vendet kryesore anëtare të NATO-s dhe të BE-së dhe në veçanti ka vënë para bankrotit financiar me pasoja të rënda për stabilitetin  politik të Greqisë.

Mospasja e vizionit dhe mirëkuptimit për  gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme për të dyja palët me kohë dhe injorimi i situatës tepër delikate të Greqisë, e bënë të pamundshëm arritjen e kompromisit me Greqinë duke pasur parasysh se forcat radikale politike që janë kundër arritjes së çfarëdo kompromisi  tashmë janë bërë forca dominante politike në Greqi.

Në një situatë kur trendët politik në fqinjësi dhe në BE janë negative në aspekt ekonomik dhe politik, arritja e kompromisit për çështjen e emrit ndërkombëtar të vendit bëhet edhe më e paqartë dhe më e vështirë. Në një situatë të kësaj natyre, RDK afirmon idenë  se përkundër përgjegjësisë konkrete që i takon qeverisë aktuale  VMRO-BDI, duhet të arrihet një konsensus i gjerë politik në vend dhe të krijohet një qeveri teknike gjithëpërfshirëse për të dalë  nga ky qorrsokak integrues dhe ekzistencial.

Kjo qeveri do të ketë obligim pas organizimit te zgjedhjeve të reja politike në Greqi, me qeverinë e re greke të arrijë kompromisin historik për çështjen e emrit të vendit dhe me pas së bashku me zgjedhjet lokale të organizojë edhe zgjedhjet parlamentare në mars –prill të vitit 2013.

Realizimi i këtij skenari është real dhe i mundshëm me ose pa VMRO-në e Nikolla Gruveskit . Nëse BDI është serioze në politikat e saja integruese euroatlantike, tash është momenti që edhe praktikisht të demonstrojë një përkushtim real institucional dhe në këtë mënyrë të jep kontributin e saj për tejkalimin e kësaj sfide historike për të ardhmen e vendit.

Mosveprimi në funksion të realizmit të kësaj alternative politike do ta radhisë BDI-në në anën e humbësve politikë dhe si një strukturë e cila në një moment historik mbante anën e forcave retrograde politike në vend e cila verbalisht ishte pro proceseve integruese, ndërsa në praktikë vepronte pro politikave të izolimit dhe lidhjes së vendit me struktura ekonomike dhe te sigurisë që e bëjnë Maqedoninë  një ishull të izoluar të Ballkanit Perëndimor.

Rilindja Demokratike Kombëtare në emër  të idealit të integrimit dhe të bashkimit të kombit shqiptar dhe të gjithë qytetarëve të Maqedonisë, fton partitë shqiptare në qeverinë  e Maqedonisë që në këtë moment historik për vendin, të veprojë në  dobi  të aspiratave  euroatlantike  të  vendit.

Lajme të ngjashme

Back to top button