Maqedoni, QMBN: Më të korruptuar politikanët, gjykatësit dhe mjekët

Qytetarët janë pesimistë se korrupsioni mund të çrrënjoset. Për më të korruptuar i përmendin deputetët, ministrat, liderët e partive politike, gjykatësit, prokurorët publikë dhe të punësuarit në sektorin privat dhe shëndetësor.

Këto rezultate i ka nxjerrë Qendra e Maqedonisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar gjatë përpilimit të raportit më të ri për vlerësim të korrupsionit në Maqedoni në vitin 2017.

Rezultatet nga raporti tregojnë se tre nga katër qytetarë konsiderojnë se gjykatësit  dhe prokurorët publikë janë më të korruptuar, ndërsa mbi 65 për qind e qytetarëve i theksojnë deputetët, ministrat, liderët e partive politike dhe liderët lokalë për më të korruptuar. Shikuar sipas sektorëve, në vendin e parë për të korruptuar janë gjykatat dhe prokuroria, ndërsa në vendin e dytë Ministria e Shëndetësisë dhe sektori publik dhe shëndetësor.

Çdo i pesti qytetarë konsideron se korrupsioni nuk mund të zvogëlohet, ndërsa 46,9 për qind se çdoherë do të ekzistojë, por që mund të zvogëlohet.

“Ende ka mosndëshkim të madh. Vitin e kaluar ka vetëm 145 persona të dënuar edhe atë për korrupsion të vogël. Mendoj se kjo duhet në mënyrë më të dukshme të ndryshojë. Kur do të fillojë të ndëshkohet më shumë, do të bëhet e qartë se kjo është sjellje e palejueshme”, theksoi Aleksandar Kërzhallovski nga Qendra e Maqedonisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar.

Zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Koço Angjushev paralajmëroi se si Qeveri do të angazhohen për zero tolerancë ndaj korrupsionit.

“Lufta do të jetë e pamëshirshme. Ne do të angazhohemi për zero tolerancë ndaj korrupsionit. Unë personalisht do t’i mbështes këto procese”, theksoi zëvendëskryeministri Angjushev.

Sipas të dhënave të sivjetme, 36,3 për qind e qytetarëve u janë ekspozuar presionit korruptues që paraqet rritje në krahasim me vitin 2016.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button