Mogherini kërkon që në mënyrë paqësore të zgjidhen problemet mes Beogradit dhe Prishtinës

Është e nevojshme të gjenden mënyra të reja për të vazhduar punën dhe zgjidhjen e problemeve mes Beogradit dhe Prishtinës në mënyrë paqësore, u dakorduan sonte Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian (BE) Federica Mogherini dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç në Beograd, duke theksuar se është në interesin kombëtar dhe shtetëror që Serbia të ruaj stabilitetin, paqen dhe përparimin në rrugën drejt BE-së, transmeton Anadolu Agency (AA).

Siç njoftohet nga Presidenca e Serbisë, në bisedën thelbësore dhe përmbajtësore, presidenti Vuçiç dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Siguri dhe Politikë të Jashtme Mogherini konstatuan se në interesin kombëtar dhe shtetëror të Serbisë është që të ruaj stablitetin, paqen dhe përparimin në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Të dy bashkëfolësit u pajtuan që të gjejnë mënyra të reja për të vazhduar punën dhe zgjidhjen e problemeve mes Beogradit dhe Prishtinës në mënyrë paqësore.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Mogherini shprehu keqardhje për shkak të ngjarjeve të djeshme në Kosovë.

“Ajo që ndodhi dje, nuk guxon të përsëritet. Bashkimi Evropian pret ruajtjen e paqes me një qasje të mençur dhe të përmbajtur”, theksoi Mogherini.

Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë Federica Mogherini u takuan sonte në Beograd me qëllim që në mënyrë të hapur dhe të sinqertë, të bisedojnë për ndodhitë më të reja dhe ardhmërinë e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, theksohet në njoftimin.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Mogherini erdhi në Beograd, nuk ishte në Prishtinë, por mbrëmë me telefon bisedoi edhe me presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, ku u pajtuan për doemosdoshmërinë e uljes së tensioneve për shkak se dialogu s’ka alternativë.

Përfaqësuesit e Listës Serbe sot vendosën që të dalin nga Qeveria e Kosovës, duke paralajmëruar se më 20 prill, në pesëvjetorin e Marrëveshjes së Brukselit do të formojnë Bashkësinë e Komunave Serbe.

Presidenti i Serbisë mbrëmë tha se të gjithë që kanë marrë pjesë në “’rëmbimin dhe rrahjen e Gjuriqit dhe të tjerëve” do të përgjigjen para organeve shtetërore serbe, ndërsa presidenti i Kosovës Hashim Thaçi tha se policia e Kosovës ka kryer detyrën e saj në pajtim me ligjet, duke bërë thirrje që të gjitha palët të ruajnë dialogun.

Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, u arrestua dje në Mitrovicë për shkak të hyrjes ilegale në Kosovë, por më vonë nga Prishtina u transferua në Beograd. Ai sot tha se është mirë, ndërsa duart i kishte të fashuara

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button