Sallata ruse në Maqedoni

Në shumë institucione të rëndësishme të shtetit në Maqedoni edhe aktualisht nuk ka ASNJË SHQIPTAR! Kështu nuk ka qenë nën asnjë regjim të derisotëm, as nën sundimet e huaja, nga pushtuesit dhe okupatërët më të egët në të kaluarën.

Njësitë speciale të ushtrisë dhe policisë me përbërje të pastër etnike, pa asnjë shqiptar, kujt mund t’i shërbejnë, për çfarë qëllime mund të përdoren (janë përdorur deri më sot)?!

Në cilin vend të botës keni parë dhe dëgjuar që qytetarët të paguajnë taksat e shtetit, ta mbushin buxhetin shtetëror në masën mbi 50%, për të financuar njësi speciale të ushtrisë dhe policisë, të cilat janë (keq)përdorur dhe mund të keqpërdoren për ushtrimin e dhunës mbi qytetarët e pafajshëm, financuesit e tyre, jo mbi ata që atakojnë demokracinë, shtetin dhe ligjet, kriminelët e vërtetë?!

A ka përparim gjatë periudhës nga pavarësimi i këtij shteti deri më sot? Unë them që nuk KA! Sepse zhvillimi i gjymtyrëve të një organizmi (shteti) nuk nënkupton zhvillim normal përderisa ZEMRA dhe TRURI i tij me asgjë nuk reflektojnë se kanë edhe përbërje shqiptare!

Pjesëmarrja formale e shqiptarëve në Parlament, Qeveri dhe institucione të tjera të pushtetit nuk mjafton për sigurimin e barazisë së plotë të shqiptarëve në këtë shtet, për aq më tepër kur qytetarët nuk e dinë saktë se kush janë në të vërtetë ata që i përfaqësojnë.

As marrëveshjet e tipit të Ohrit dhe Përzhinës, as Kushtetuta dhe ligjet nuk janë garanci për barazinë e shqiptarëve, nëse zbatimi i tyre u lihet në dorë qarqeve nacionaliste dhe shoviniste, të cilat mund të ndërtojnë parneritet me subjektet politike të shqiptarëve vetëm në sferën e korrupsionit, nepotizmit, ndarjen e tenderëve, vjedhjen e pasurisë së qytetarëve dhe shtetit, në krimin e organizuar, kapjen e shtetit nga nëntoka kriminele, jo edhe për avancimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, sigurimin e barazisë së plotë të qytetarëve pa dallim të përkatësisë etnike, fetare, gjuhësore dhe çfarëdo përkatësie tjetër, për ndërtimin e shtetit të së drejtës, për progres shoqëror, ruajtjen paqes në vend dhe të sigurisë ndërkombëtare.

Prandaj, që nga pavarësimi i Maqedonisë, nga kjo politikë shqiptarët kanë pësuar rëndë, kanë përjetuar së paku për çdo vit nga një proces të montuar, i janë nënshtruar ndonjë ekspedite policore-ushtarake me pasoja për jetën e njerëzve të pafajshëm, në emër të luftimit të ,,krimit të organizuar”, ,,ekstremizmit” të shpifur dhe sajesave të tjera me prapavijë të tejdukshme kundër interesave dhe qenies shqiptare, e cila ende nuk frymon lirë, me ose pa subjektet politike të tyre të derisotme.

Bartësit e vërtetë të pushtetit në Maqedoni, e dinë shumë mirë urtinë popullore në gjuhën e tyre: ,,Ako baba llazhe, tragot ne llazhe! (,,Nëse gjyshja gënjen, gjurmët nuk gënjejnë”).

Dhe për fund, nga përvoja kemi mësuar se pas çdo ëndrre, sado të zgjasë ajo, prapë në fund duhet të zgjohet njeriu, por dallimi është si: a do të zgjohesh i kthellët dhe i pastër, ose me brekë të lagura!

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button