BE: Nuk duhet të ketë doganë ndëshkuese nga SHBA

Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) e kanë përjashtuar Bashkimin Evropian (BE) vetëm përkohësisht nga doganat ndëshkuese për çelikun dhe aluminin. Në takimin e nivelit të lartë të BE-së, qeveritë shfaqen me besim në vetvete përballë Washingtonit.

BE është i gëzuar që doganat ndëshkuese të SHBA për eksportet evropiane të çelikut dhe të aluminit në SHBA njëherë për njëherë nuk do të zbatohen. Por menjëherë BE kalon në ofensivë. Evropianët mendojnë se kanë të drejtë mbi bazën e rregullave të Organizatës Botërore të Tregtisë. Taksat ndëshkuese, shkruhet në konkluzionet e takimit të nivelit të lartë, “janë të pajustifikuara” dhe nuk shpjegohen me interesa nacionale të sigurisë. SHBA u bëhet thirrje që përjashtimet t’i bëjnë të përhershme.

Kancelari i Austrisë, Sebastian Kurz kërcënoi se “Nëse Presidenti merr vendim të gabuar, atëherë BE do të reagojë fuqimisht”. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron tha se “Ne do t’i mbrojmë interesat tona”, shkruan DW.

Me fjalë të tjera: po të mos e tërheqë përgjithmonë kërcënimin qeveria e SHBA, BE do të caktojë nga ana e tij dogana ndëshkuese ndaj produkteve të SHBA si motoçikletat, xhinset ose uiskit. Kryeministri i Belgjikës Charles Michel u shpreh veç kësaj i zemëruar që BE ka kohë deri në maj. Trumpi i vë BE në këtë mënyrë “një revolver në kokë”. Në të njëjtën kohë, Komisarja e BE për Tregtinë, Cecilia Malmström, e cila negocioi ditët e fundit në grindjen doganore me SHBA, i ofroi Uashingtonit bisedime të tjera. Problemi i mirëfilltë, i cili duhet trajtuar bashkërisht, sipas BE qendron në mbikapacitetet e përbotshme për prodhimin e çelikut.

Edhe Presidenti francez, Emmanuel Macron, tha se ai refuzon që të diskutojë për çështje tregtare kur dikush i drejton koburen kokës së tij. Ai tha se një përjashtim i përkohshëm nga tarifat e reja të SHBA nuk është i kënaqshëm.

“BE duhet të jetë i bashkuar dhe i vendosur… po të na sulmojnë ne do të reagojmë pa dobësi”, tha ai. Macroni tha edhe se do të nisë bisedime tregtare me çdo vend që nuk është anëtar i Marrëveshjes për Ndryshimin e Klimës së Parisit.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel i mbrojti tepricat tregtare, suficitin e Gjermanisë dhe tha se ka rëndësi që të shmanget “një spirale masash tregtare” midis BE dhe SHBA. “Ne jemi të interesuar për tregti multilaterale ndërkombëtare korrekte dhe do të vazhdojmë të kundërshtojmë proteksionizmin”, tha Merkeli.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button