Reshjet e borës në malësinë e Tetovës, pastrimi i rrugëve i pamjaftueshëm (FOTO)
Reshjet e borës që kanë përfshirë rajonin e Pollogut e kanë vështirësuar lëvizjen në malësinë e Tetovës. Komuna e Tetovës thotë se i ka pastruar rrugët dhe për këtë na ka dërguar fotografi, megjithatë reshjet e vazhdueshme të borës, përsëri kanë krijuar shtresë të borës në rrugë dhe kanë rënduar lëvizjen, raporton Portalb.mk.
“Gjatë ditës së sotme rrugët janë pastruar dhe janë të lëvizshme si në akset rrugorë Tetovë – Shipkovicë – Brodec – Veshallë – Bozofcë, po ashtu edhe në rrugën Tetovë, Sellc, Vicë si dhe në aksin rrugore Tetovë – Xhermë”, thonë për Portalb.mk, nga Komuna e Tetovës.
Megjithatë gjendja momentale në rrugën Tetovë-Shipkovicë-Bozovcë, është në gjendjen siç mund ta shihni në fotografitë e mëposhtme, pra e pa pastruar, ndërkaq reshjet e borës vazhdojnë të bien.
Banorët thonë për Portalb.mk, se komunikacioni në këso kushte është i vështirë, ndërkaq disa prej tyre dëshmojnë se edhe gjatë mëngjesit, kur janë nisur për në punë rrugët kanë qenë në gjendje rëndë të kalueshme për automjetet.
“Rrugët në orët e mëngjesit kanë qenë të pa pastruara dhe këtë gjë mund ta dëshmojmë dhe në bazë të fotografive që kemi bërë, nuk e dimë nëse janë pastrua gjatë ditës së sotme dhe këtë mund ta shohim kur do të kthemi në fshatrat por ajo që mund të them është se gjatë mëngjesit të njëjtat kanë qenë të pa pastruara“, thotë një banor i Bozofcës për Portalb.