Hoxhaj: Do të ketë njohje të reja nga Amerika Latine

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka qëndruar disa ditë në shtete të ndryshme të Amerikës Latine, në përpjekje për t’i bindur ato që ta njohin pavarësinë e Kosovës. MPJ premton disa njohje shumë shpejt.

Kosova pret që së shpejti të njihet nga disa shtete të Amerikës Latine, Amerikës Qendrore si dhe nga vende të botës arabe.

Kreu i diplomacisë së Kosovës, ministri Enver Hoxhaj ka ndërmarrë një fushatë lobuese për rritjen e numrit të njohjeve për Republikën e Kosovës.

Hoxhaj ka zhvilluar një sërë takimesh me krerë të vendeve të Amerikës Latine që ende nuk e kanë njohur Kosovën.

Artan Behrami, këshilltar i ministrit Hoxhaj ka konfirmuar për Kosovatimes.net se vizita disa ditshme ka pas për qëllim rritjen e numrit të shteteve që e njohin pavarësinë e Kosovës.

“Ministri Hoxhaj ka zhvilluar shumë takime me ministra të Punëve të Jashtme të shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Në këto takime ministri Hoxhaj ka kërkuar nga këto shtete që të njohin pavarësinë e Kosovës dhe të lidhin marrëdhënie diplomatike”, ka thënë Behrami.

Ai është i bindur se brenda një periudhe shumë të shkurtër Kosova do të ketë disa njohje nga ky dhe kontinente tjera.

“Ministri Hoxhaj ka marr premtime të qarta se shumë shpejt disa shtete të Amerikës Latine dhe Amerikës Qendrore do ta njohin pavarësinë e Kosovës. Edhe kryeministri i Kosovës ka marr premtime që do të ketë njohje nga bota arabe, por do të ketë edhe nga Afrika”, paralajmëroi Behrami.

Lajme të ngjashme

Back to top button